Përkujtimi dhe studimi — sot bashkohen në një pikë të vetme: në kërkimin e së vërtetës

Shkruan: Don Fran Sopi
Të dashur pjesëmarrës,
Sot, nuk jemi mbledhur thjesht për një promovim libri. Nuk jemi këtu vetëm për të shfletuar një botim të ri, për të dëgjuar disa fjalë rasti dhe për t’u shpërndarë më pas në heshtje. Jemi mbledhur për një akt të thellë kujtese, për një akt ndërgjegjeje dhe për një akt kulture kombëtare.
Me ftesë të Këshillit Organizativ, jemi mbledhur për të kthyer sytë pas — jo për të mbetur në të kaluarën, por për ta kuptuar më mirë të tashmen dhe për ta ndriçuar të ardhmen. Sot përkujtojmë 80-vjetorin e martirizimit të një figure të shquar të Kishës Katolike dhe të kombit tonë — pader Anton Harapit — dhe njëkohësisht promovojmë veprën me peshë studimore “Tragjiku i idealizmit shqiptar” të studiuesit dhe shkrimtarit të mirënjohur Prend Ndue Buzhala. Këto dy dimensione — përkujtimi dhe studimi — sot bashkohen në një pikë të vetme: në kërkimin e së vërtetës.

Pader Antoni – figura e ndërgjegjes
Sipas dokumenteve dhe burimeve zyrtare historike, 20 shkurti i vitit 1946 mbetet një ndër datat më të errëta të historisë sonë moderne. Në atë periudhë të turbullt, kur ideologjia komuniste po konsolidonte pushtetin e saj diktatorial nën drejtimin e Enver Hoxhës, shumë figura të mendimit të lirë
 u gjykuan, u persekutuan, u internuan dhe u pushkatuan.
 Ndër ta ishte edhe françeskani mendjendritur, Atë Anton Harapi.
 Ai nuk u dënua thjesht si individ, por si simbol.
 U dënua si françeskan.
 Si intelektual.
Si përfaqësues i një tradite mendimi që nuk pranoi të zhdukej. U dënua si ndërgjegje që nuk u përkul përballë nomenklaturës së errët komuniste.

Kush ishte pader Antoni në thelb?
Ishte françeskan me formim të thelë kulturor. Ishte meshtar i përkushtuar, pedagog që edukonte rininë me dashuri për librin, për dijen dhe për karakterin. Ishte filozof, shkrimtar e teolog, mendimtar që e shihte fenë jo si mbyllje në sakristi, por si energji morale për jetën publike. Ai nuk e ndante besimin nga përgjegjësia qytetare. Për të, feja dhe atdheu nuk ishin dy kahje të kundërta, por dy shtylla që mbështesnin njëra-tjetrën.
Pader Antoni ishte njeri i dialogut, por në asnjë mënyrë i kompromisit moral. Në kohë përplasjesh politike, ai kërkoi maturi dhe ekuilibër. Nuk ishte politikan në kuptimin partiak, por intelektual me ndërgjegje qytetare. Pikërisht kjo ndërgjegje e vendosi përballë fatit tragjik. Tragjedia e tij nuk qëndron vetëm në pushkatimin fizik. Ajo qëndron në përplasjen mes idealit dhe brutalitetit ideologjik.
Ai besonte se shoqëria mund të ndërtohej mbi vlera morale, mbi drejtësi dhe mbi dialog. Por ideologjia totalitare nuk njeh dialog; ajo njeh vetëm nënshtrim.
Ai besoi se ndërgjegjja është më e fortë se frika.
Dhe për këtë pagoi me jetën e tij, duke u martirizuar për Fe e Atdhe.

Një dëshmi tronditëse e kohës

Të dashur vëllezër e motra,
Le të ndalemi edhe në një dëshmi tjetër që lidhet me vrasjen e Atë Anton Harapit.
Pas pushkatimit të tij, thuhet se ambasadori i Jugosllavisë komuniste zhvilloi një vizitë zyrtare te Enver Hoxha. Në bisedë e sipër, Enveri është mburrur për zhdukjen e Harapit. Ambasadori, sipas kësaj dëshmie, ka thënë se i gjithë kleri katolik shqiptar janë “Patër Antona” dhe se, për mbarëvajtjen e partive komuniste dhe të qeverive “motra”, kishte porosi nga Beogradi që të likuidoheshin meshtarët e Kishës Katolike sa më parë, me çdo mjet, të gjithë ata që konsideroheshin të lidhur me Vatikanin.
Kjo dëshmi, pavarësisht se kërkon gjithmonë verifikim historik të kujdesshëm, tregon qartë klimën e kohës:
 një kohë frike,
 Dyshimi dhe
 Përndjekjeje sistematike ndaj Kishës dhe ndaj çdo mendimi të lirë.

Vlerësimet për figurën e Atë Anton Harapit
Për figurën e Atë Anton Harapit janë shprehur personalitete të shquara.
“Kjo ishte edukata harapiane. Ai ishte i kryqëzuem n’Kryq për Fe e Atdhe”, është shprehur Atë Daniel Gjeçaj.
“Një frat i thjeshtë renditet përkrah mendimtarëve të mëdhenj të kombeve të tjera”, ka vlerësuar studiuesi dhe kritiku bashkëkohor Prof. Dr. Aurel Plasari.
Ndërsa Ernest Koliqi për Atë Anton Harapin thoshte se ishte “nji ndër njerëzit mâ të kulturuem të Shqipnís”.
Martirizimi i tij mbetet një testament historik: E vërteta mund të shtypet përkohësisht, por nuk shuhet.

Profesori Prend dhe trashëgimia e dinjitetit

Në këtë përkujtim dhe promovim libri, është e natyrshme të ndalemi me respekt dhe mirënjohje te profesori Prend Ndue Buzhala dhe familja e tij nga Qabiqi i Klinës. Profesori rrjedh nga një familje që, në epoka të ndryshme, ka dëshmuar me vepra — jo vetëm me fjalë — besimin dhe atdhedashurinë. Ndër kontributet e tyre të vyera ishte edhe pjesëmarrja në ndërtimin e Kishës “Zoja e Madhe” në Dobërdol të Klinës, një akt që nuk ishte thjesht ndihmë materiale, por dëshmi besimi dhe dashurie për Kishën katolike dhe komunitetin.
Si meshtar që e njoh mirë, dëshmoj se mbështetja e profesor Prendit dhe e familjes së tij gjatë viteve të shërbesës sime në këtë famulli ka qenë e çmuar dhe e vazhdueshme. Ai ka qenë dhe mbetet një krah i fortë moral, zë i arsyes dhe i kulturës. Në të kam parë një shembull të asaj që do të thotë ta jetosh fenë si përgjegjësi publike dhe kombin si detyrë morale.
Profesori Prend Ndue Buzhala është një personalitet me vlera të mëdha letrare, i cili ka përjetuar sprova, tortura, përndjekje dhe burgosje në kohë të ndryshme historike. Ai ka kaluar një kalvar të vërtetë gjatë komunizmit jugosllav dhe përgjatë okupimit serb përgjatë viteve ’90-ta me rrahje, tortura dhe burgosje të padrejta nga policia serbe. Por e them se fal të madhit Zot, asnjëherë nuk e humbi as mençurinë, as maturinë, as dashurinë për kulturën shqiptare.
Kjo e bën figurën e tij edhe më domethënëse në kontekstin e këtij promovimi, sepse libri i tij nuk është thjeshtë analizë akademike, por akt kujtese, akt drejtësie dhe akt ndërgjegjeje kombëtare.
Dhe sot, krejt në fund, teksa përulemi me respekt para martirizimit të pader Anton Harapit, le të bëjmë sa më shumë që ta njohim sa më mirë këtë figurë madhore të popullit tonë.
Në fund të këtij fjalimi, e përgëzoj profesorin Prend për veprën e tij. Mirënjohje për punën dhe përkushtimin e tij.
Faleminderit për vëmendjen!
Pejë, më 26 shkurt 2026