Përjashtohet përjetësisht nga futbolli presidenti turk që goditi gjyqtarin

Faruk Koca është përjashtuar përjetësisht nga Federata e Futbollit në Turqi pasi u arrestua për goditjen e gjyqtarit në Superligën turke të hënën në mbrëmje.

Bordi i federatës ka vendosur që pronari i Ankaragucus të paguajë edhe gjobë prej 54 mijë dollarësh dhe që klubi pesë ndeshjet e ardhshme si vendas t’i luajë pa tifozë.

Të gjitha ndeshjet e futbollit në Turqi janë pezulluar pa afat, pasi Koca hyri në fushë për ta goditur gjyqtarin Halil Umut Meler, pas ndeshjes kundër Rizesporit. Pasi pronari goditi gjyqtarin, edhe tifozët hynë në fushë duke e goditur njëjtë.

Ankaragucu është në pozitën e 11-të të Superligës së Turqisë me 18 pikë, tri vende pas Rizesporit që ka 22 pikë nga 15 ndeshje.