PËRFUNDON EDHE DËGJIMI I DHJETË BUXHETOR PËR KORNIZËN AFATMESE BUXHETORE 2026–2028

Në Sallën e Kuvendit Komunal të Klinës është mbajtur edhe dëgjimi i dhjetë buxhetor për Kornizën Afatmesme Buxhetore 2026–2028. Takimin e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, z. Fadil Gashi, i shoqëruar nga drejtori i Financave dhe Zhvillimit Ekonomik Lokal, z. Enver Berisha.

Në këtë aktivitet mori pjesë një numër i konsiderueshëm qytetarësh, të cilët patën mundësinë të shprehin opinionet, sugjerimet dhe shqetësimet e tyre rreth projekteve dhe ndarjes së buxhetit për komunën.

Kornizën Afatmesme Buxhetore 2026–2028 para të pranishmëve e prezantoi drejtori i Financave, i cili veçoi në pika të shkurtra kategoritë ekonomike dhe projektet me prioritet ndër vite. Ai bëri të ditur se buxheti i planifikuar për vitin 2026 është 16.338.898,00 €, ndërsa vlerësimi për vitin 2027 është 17.130.331,00 €, dhe për vitin 2028 është 17.939.537,00 €. Ndërkohë, buxheti aktual për vitin 2025 kap vlerën prej 16.168.653,00 €.

Ndërsa kryesuesi Gashi theksoi se ky proces është dëshmi e përkushtimit për një qeverisje transparente, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse. Korniza Afatmesme Buxhetore është reflektim i prioriteteve tona të përbashkëta, i nevojave dhe i drejtimit që dëshirojmë t’i japim zhvillimit ekonomik dhe social të komunës sonë në vitet që vijnë.

“Ju ftoj që të vazhdoni të jeni pjesë aktive e këtij procesi, jo vetëm sot, por edhe në fazat e ardhshme, sepse vetëm përmes bashkëpunimit dhe komunikimit të hapur ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë,” – tha në fund kryesuesi Gashi.

Komuna e Klinës ka njoftuar se, për shkak të pjesëmarrjes së ulët në takimin e parë me temën “Prioritetet e grave dhe të rinjve të komunës së Klinës”, do të organizojë një takim të dytë me këtë grup të rëndësishëm.

Takimi do të mbahet më 20 qershor 2025, duke filluar nga ora 14:00, në Sallën e Kuvendit Komunal të Klinës.

Komuna fton të gjitha gratë dhe të rinjtë që të marrin pjesë dhe të japin kontributin e tyre në këtë proces të rëndësishëm vendimmarrës.

Komentet me shkrim mund t’i dërgoni edhe përmes postës elektronike deri më 24 qershor 2025, në adresat:

Vlora Tafili – [email protected]
Melihate Behramaj – [email protected].