Përballje e ashpër Kurti – Vuҫiq në Këshillin e Sigurimit

Presidenti i Serbisë Vuçiq në Këshillin e Sigurimit tha: “Kryeministri i Kosovës, Kurti, u prin ‘persekutimeve’ ndaj serbëve të Kosovës”. Kryeministri Kurti, i quajti gënjeshtra të gjitha pretendimet e Vuçiqit.

Presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkëmbyen akuza dhe kundërakuza në një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo seancë u thirr nga Serbia, pas fillimit të zbatimit të një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e përcakton si valutë të vetme në Kosovë euron, duke pamundësuar kështu përdorimin e dinarit serb për pagesa, gjë që nxiti edhe shqetësime ndërkombëtare për mundësinë e tensioneve ndëretnike.

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuҫiq, në fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit, vendimin e Kosovës për ndalimin e dinarit serb e cilësoi: “vazhdimësi të sulmeve sistematike ndaj serbëve”, dhe akuzoi institucionet e Kosovës të cilat sipas tij, “kanë krijuar kushte të padurueshme për serbët”.

“Kemi kërkuar këtë takim për shkak të veprimit të Bankës së ashtuquajtur të Kosovës për ndalimin e dinarit. I ashtuquajturi lidership ka vazhduar sulmet ndaj popullatës serbe pasi mbijetesa e tyre në provincën jugore varet nga buxheti i Serbisë”, tha Vuçiq. Sipas tij, “Ky është sulm ndaj popullatës serbe dhe e bën situatën në Kosovë të vështirë”.

“Prishtina po i pamundëson veprimet e të gjitha institucioneve shëndetësore, kulturore e arsimore që ofrojnë kushtet bazike. Çdo parandalim i financimit të spitaleve, shkollave e çerdheve të Serbisë është sulm i drejtpërdrejt ndaj serbëve dhe ndaj themelimit të Asociacionit”, u shpreh Vuҫiq. Presidenti i Serbisë tha, se “janë 470 sulme të motivuara etnikisht ndaj serbëve dhe Kishës serbe në Kosovë, qëkurse qeverinë e udhëheq Albin Kurti. Ai është në ballë të persekutimit të serbëve”, deklaroi Vuçiq.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili mori pjesë për herë të parë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kurti i quajti gënjeshtra të gjitha pretendimet e presidentit të Serbisë, sipas të cilit Kosova po kryen spastrim ndaj serbëve të Kosovës.

“Me krenari e themi që e zbatojmë Kushtetutën me masat më të larta të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, 20 mandate të garantuara në parlament nga 120 në total, prej të cilave 10 janë posaçërisht të serbëve. Serbët në Kosovë kanë po ashtu 10 nga 38 komunat në Kosovë. Gjuha serbe është gjithkund gjuhë zyrtare. Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitetit serb, është thjesht gënjeshtër që është përgënjeshtruar nga shumë organizata ndërkombëtare”, tha Kurti.

Lidhur me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, Kurti tha, se “ajo nuk e pengon Serbinë t’u ofrojë ndihma financiare serbëve”.

“Gjithçka tjetër është propagandë e rrejshme dhe nxitje e tensioneve. Rregullorja sjell ligjshmëri të importit të parave në Kosovë në përputhje me kushtetutën dhe politikën monetare të BE-së. Beogradi ka thirrur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij dhe ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë të Kosovës, por sepse ato tubacione të parave në veri të Kosovës po ndalen”, tha Kurti. Kryeministri kosovar në Këshillin e Sigurimit e përmendi edhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe akuzoi drejtpërdrejt Vuçiqin për financim e mbështetje të këtij sulmi të armatosur.

Kryeministri Kurti akuzoi Serbinë edhe për mosnënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel dhe Ohër, duke mos i respektuar edhe pikat për të cilat janë dakorduar.

“Serbia refuzon dy obligime kyçe, që të mos pengojë anëtarësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe të mos respektojë integritetin territorial. Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është vetëm formalitet është edhe garanci për implementimin e saj të plotë dhe të pakusht, edhe për paqen dhe sigurinë në Ballkan”, tha Kurti duke e ftuar Vuҫiqin që ta nënshkruajë marrëveshjen.

“E ftoj të nënshkruajë këtu sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie. Ky akt simbolik do të demonstronte përkushtimin e tij për marrëdhënie paqësore me Kosovën”, tha Kurti.

Ky deklarim i Kurtit nuk i pëlqeu përfaqësueses së SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e cila tha se dialogu Kosovë-Serbi, mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe jo nga Këshilli i Sigurimit.

“Inkurajojmë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja që SHBA-ja e mbështet fuqimisht dhe vazhdimisht. Që të jemi të qartë, është dialogu i lehtësuar nga BE-ja e jo i Këshillit të Sigurimit, që duhet të jenë kanale për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe zgjidhjet që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, tha Greenfield. Ajo po ashtu tha, se SHBA-ja ka shprehur brengën sa i përket planit të Kosovës për zbatimin e Rregullores së BQK-së për transaksionet në para të gatshme.

“Vendimi është marrë pa përgatitje adekuate apo konsultim me popullatën lokale. Edhe një herë bëjmë thirrje për zbatim të këtij plani, por, që të shtyhet deri sa të ketë procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane”, tha ambasadorja e ShBA-së.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy, tha se kërkesa e Perëndimit dhe Bashkimit Evropian që të njihet shtetësia e Kosovës është e padrejtë. Ai tha se “vetëm në vitin 2023, 178 sulme etnike janë kryer ndaj serbëve e pronave të tyre”, duke mos saktësuar se nga kush janë kryer ato sulme.

Ndërsa ambasadori i Britanisë së Madhe në OKB, tha se tensionet aktuale ritheksojnë rëndësinë për përkushtim edhe më të madh për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Së pari Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë zotimet e tyre dhe të shmangin veprimet e njëanshme. Së dyti, Kosova duhet të ushtrojë pushtetin e vet sovran në përputhje me vizionin e demokracisë shumëetnike që është ngulitur pikërisht në zemër të Kushtetutës së Kosovës”, tha ambasadori britanik.

Ai ftoi autoritetet kosovare që të ndërtojnë një plan të qartë, që të gjithë serbët e Kosovës të vazhdojnë të marrin të ardhura dhe që shërbimet themelore të vazhdojnë të funksionojnë derisa të gjendet një zgjidhje e gjithanshme. /dw