Për herë të parë shefi i FBI-së thotë se me gjasë Covid-19 doli nga laboratori i Wuhan

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, ka thënë se byroja beson se Covid-19 me shumë gjasë ka origjinën në një “laborator të kontrolluar nga qeveria kineze”.

“FBI ka vlerësuar për shumë kohë tani se origjina e pandemisë ka shumë të ngjarë të jetë një incident i mundshëm laboratorik”, i tha ai Fox News.

Është konfirmimi i parë publik i gjykimit të klasifikuar të FBI-së se si u shfaq virusi, shkruan BBC.

Kina ka mohuar se ka pasë rrjedhje laboratori në Wuhan, duke e quajtur akuzën shpifëse.

Komentet e Wray vijnë një ditë pasi ambasadori i SHBA në Kinë i bëri thirrje vendit që të “të jetë më i sinqertë” për origjinën e Covid.

Në intervistën e tij të martën, Wray tha se Kina “ka bërë çmos të pengojë dhe turbullojë” përpjekjet për të identifikuar burimin e pandemisë globale.

“Dhe kjo është për të ardhur keq për të gjithë”, tha ai.

Disa studime sugjerojnë se virusi kaloi nga kafshët te njerëzit në Wuhan, ndoshta në tregun e ushqimeve të detit dhe kafshëve të egra të qytetit.

Tregu është 40 minuta me makinë nga një laborator kryesor i viruseve në botë, Instituti i Virologjisë Wuhan, i cili kreu kërkime për koronaviruset.