Një grup senatorësh amerikanë, të udhëhequr nga demokrati Jeff Merkley, paraqitën të enjten në Senat një rezolutë historike që bën thirrje për njohjen e shtetit palestinez, duke sinjalizuar një ndryshim të mundshëm në qëndrimin e Uashingtonit ndaj konfliktit izraelito-palestinez.
Rezoluta kërkon njohjen e një shteti palestinez të çarmatosur përkrah një Izraeli të sigurt, si një hap drejt zgjidhjes me dy shtete dhe paqes afatgjatë.
“Amerika ka përgjegjësi të udhëheqë dhe koha për veprim ka ardhur,” u shpreh Merkley.
Ndër bashkë-nënshkruesit e rezolutës janë senatorët demokratë Chris Van Hollen, Tim Kaine, Peter Welch, Tina Smith, Tammy Baldwin, Mazie Hirono, si dhe i pavaruri Bernie Sanders, i cili këtë javë e cilësoi për herë të parë situatën në Gaza si gjenocid.
Një komision hetimor i OKB-së ka arritur në përfundimin se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza, një akuzë që Tel Avivi e ka hedhur poshtë si të njëanshme dhe të pabazuar.
Ndërkohë, në Dhomën e Përfaqësuesve, demokrati Ro Khanna po shpërndan një letër për të mbledhur mbështetje për të njëjtën nismë, edhe pse republikanët, që kontrollojnë shumicën, pritet të kundërshtojnë fuqishëm. Presidenti Donald Trump tha se nuk e mbështet njohjen e Palestinës dhe se asnjë republikan nuk është rreshtuar pas kësaj iniciative.
Sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos, 58% e amerikanëve mbështesin njohjen e shtetit palestinez nga vendet e OKB-së.
Kjo nismë vjen pak para përvjetorit të dytë të luftës në Gaza, ku sipas autoriteteve lokale, mbi 65,000 palestinezë janë vrarë, ndërsa sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 shkaktoi 1200 viktima në Izrael dhe 251 persona të marrë peng.