Zvicër: Rënie e theksuar e ofertave për punë për shkak të pandemisë

Ofertat e reja të punës kanë rënë për më shumë se një çerek në Zvicër për shkak të pandemisë Covid-19 në sektorët e hoteleve, restoranteve dhe shërbimeve të  ndryshme.

Mes prillit dhe qershorit ofertat për punë u ulën për 27%, njoftoi të martën firma e burimeve njerëzore Adecco Switzerland. Anna von Ow, një studiuese e Universitetit të Cyrihut, e cila ka punuar në raport, tha se rënia e ofertave të reja është shumë më e keqe sesa në krizat e mëparshme, përfshirë krizën financiare 2008-2009, kur ndikimi ishte më pak i papritur, përcjell albinfo.ch

“Praktikisht të gjitha fushat e jetës shoqërore, ekonomike dhe kulturore pushuan së funksionuari brenda natës”, tha ajo. Megjithëse të gjithë sektorët janë ndikuar, sektorët e hotelerisë, restoranteve janë goditur më keq; ata kanë një rënie prej 39%. Biznesi, shitjet, administrata u goditën gjithashtu (-35%), me gjithë mundësitë e krijuara nga punët e telekomunikacionit.

Shkencat natyrore, ndërtimi dhe mirëmbajtja u prekën më pak (-18%). Gjeografikisht, rajonet përreth Liqenit të Gjenevës, si dhe kantonet e Fribourg, Neuchâtel, Jura dhe Bernë u goditën më së shumti, ndërsa Zvicra Lindore u mbajt më mirë, njoftoi Adecco.

Ndërkohë, Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO) vlerëson se niveli mesatar i papunësisë në vitin 2020 do të rritet në 3.8%.

Situata e përgjithshme ekonomike gjithashtu ka qenë subjekt i parashikimeve; analiza e fundit, e botuar të martën nga instituti ekonomik KOF, llogarit se prodhimi ekonomik mund të bjerë me 5% në vitin 2020. Investimet e huaja gjithashtu kanë pësuar ulje.

SHARE