Peci: Ka filluar shqiptimi i gjobave për moszbatim të Ligjit kundër duhanit

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë të ditur se të enjten janë shqiptuar një numër, siç ka thënë ai, i konsiderueshëm i gjobave, për mosrespektim të Ligjit për kontrollin e duhanit, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2013.

Në një status në Facebook, Peci ka thënë se ligjet janë bërë që të zbatohen e jetësohen në praktikë e jo që të mbeten në letër.

“Pas inspektimeve të ditës së djeshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës, janë shqiptuar një numër i konsiderueshëm i gjobave; gjë e cila nuk na bën të lumtur. Mirëpo zbatimi i ligjit nuk ka alternativë. Së bashku me qytetarët si palë bashkëpunuese, le ta zbatojmë ligjin me qëllim që ta shndërrojmë Republikën tonë në një vend të jetueshëm e shtet të së drejtës”, ka shkruar Peci.

Ai ka ftuar qytetarët që kudo që evidentojnë raste të moszbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit, t’i raportojnë në numrin 080050095 në Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Një ditë më parë Peci ka kërkuar nga AUV-i që duke u bazuar në përgjegjësitë ligjore, si dhe interesimin për funksionalitet të plotë karshi mandatit dhe përgjegjësive që ka, të marrë masa rigoroze për zbatimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, si dhe shtim të aktivitetit të inspektorëve sanitarë në teren