Partia gjermane SPD: LDK ta tërheqë mocionin e mosbesimit – Të lihen lojërat politike

Fraksioni i Partisë Socialdemokrate në Gjermani në një njoftim për media iu ka bërë thirrje spektrit politik në Kosovë të qëndrojnë larg lojërave politike, në situatën kur vendi gjendet në krizë me koronavirus.

Sipas njoftimit të fraksionit të SPD-së forcat politike po përpiqen që ta shfrytëzojnë rastin që ta rrëzojnë Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

Tutje në njoftim thuhet se kjo është një lojë e kumarit të papërgjegjshëm.

“Në krizën aktuale, qeveria e kryeministrit Albin Kurti po vepron me kujdes. Prandaj jemi shumë të shqetësuar për mënyrën sesi forcat brenda vendit po përpiqen të përdorin pandeminë për përfitime politike. Në vend që të kishte një zë me qeverinë dhe të thërras për respektim të masave mbrojtëse, Presidenti Thaçi po bën thirrje që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, duke zgjeruar kështu kompetencat e tij. Vendet e BE-së kanë një vëmendje në aktivitetet e saj politike. Vendimi i Albin Kurtit për të shkarkuar ministrin e Brendshëm Agim Veliu,  është logjike pasi ai kishte folur në favor të një emergjence dhe kështu kundërshtoi autoritetin e kryeministrit”.

Grupi Parlamentar gjerman i bën thirrje që Lidhja Demokratike e Kosovës që ta tërheqë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

“Populli i Kosovës ka nevojë për stabilitet politik më shumë se kurrë. Është një shenjë inkurajuese që kryetarja e Parlamentit, Vjosa Osmani, dhe deputetë të tjerë dhe ministra nga LDK janë kundër votës së mosbesimit”.

“Përpjekjet e forcave jo-evropiane, nën hijen e pandemisë globale të koronës, për të vazhduar më tej me planet për një shkëmbim territoresh midis Serbisë dhe Kosovës nuk mund të tolerohen fare. Këto rrezikojnë stabilitetin e të gjithë rajonit. Ne i refuzojmë lojërat e tilla”- thuhet në njoftim.