Paqe e përjetshme mbi shpirtrat e të vrarëve në Mejë të Gjakovës dhe mbi të gjithë ata që ranë për atdhe, vetëm pse ishin shqiptarë!

Shkruan: Lekë Mrijaj

Sot, kur kanë kaluar 27 vjet nga Masakra e Mejës së Gjakovës, edhe kujtesa ime ndalet me përgjegjësi dhe me dhimbje të thellë para njërës prej plagëve më të rënda të luftës së fundit në Kosovë. Ajo ditë e idhët dhe e zezë nuk është vetëm një datë përkujtimore që shënohet në agjendën tonë kombëtare, por është, mbi të gjitha, një gur varri në ndërgjegjen e historisë sonë të lavdishme dhe një kujtim i përgjakur që nuk mund të zbehet e që asnjëherë nuk guxon të harrohet.
Në Mejë të Gjakovës, Serbia okupuese, gjenocidiale dhe kriminale, e cila për më shumë se një shekull kishte rënduar me dhunë fatin e shqiptarëve. Pikërisht edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, përmes ushtrisë, policisë dhe aparatit të saj shtetëror të dhunës, vrau 376 shqiptarë: burra, gra, fëmijë, pleq e të rinj. Ata, për t’u vrarë, nuk u ndanë sipas fesë dhe nuk u pyetën nëse ishin myslimanë apo katolikë. Nuk u dalluan sipas ritit apo besimit fetar, krahinës apo prejardhjes familjare. Ata, mbi të gjitha, u vranë si shqiptarë dhe vetëm pse ishin shqiptarë.
Kjo, për mua, është e vërteta e madhe dhe e hidhur e Mejës. Pra, Serbia gjakatare dhe gjenocidiale nuk vrau një grup fetar, mysliman apo katolik, por vrau bij e bija të popullit shqiptar. Përmes atyre vrasjeve, ajo e goditi trupin tonë kombëtar aty ku e kishte më lehtë ta lëndonte. Pra, te civilët e pambrojtur, te familjet e pafajshme, te njerëzit që nuk kishin asnjë faj tjetër përveçse ishin shqiptarë dhe i përkisnin këtij vendi, kësaj toke arbërore dhe këtij emri.
Në krye të asaj makinerie kriminale qëndronte diktatori Sllobodan Millosheviq, me suitën e tij famëkeqe politike, ushtarake e policore të llojit nazist. Përveç asaj dhune dhe atyre vrasjeve, ata u përpoqën ta përçanin popullin shqiptar të Kosovës. Me raste, tentuan të veçonin pjesëtarët katolikë, sikur shqiptarët të mund të ndaheshin në copa sipas fesë. Por lufta, dhimbja dhe gjaku i derdhur dëshmuan të kundërtën. Shqiptarët u goditën Shqiptarë apo më konkret si një popull i vetëm dhe, si një popull i vetëm, duhej të qëndronin.
Pikërisht në këtë frymë e shoh edhe qëndrimin e pinjollit të martirëve të Karadakut, Imzot Mark Sopit, Ipeshkëv i Kosovës dhe bari shpirtëror i popullit të vet. Posa kishte kuptuar për Masakrën e Mejës, ai ishte tronditur thellë në shpirt. Lajmi për atë mizori kriminale, të kryer nga Serbia okupuese, nuk e kishte lënë të qetë. Dhimbja e popullit ishte edhe dhimbja e tij. Si ipeshkëv, dhe si bir i këtij vendi, ai nuk mund të rrinte larg një plage kaq të madhe.
Prandaj, sapo kishte dëgjuar për atë ngjarje të rëndë, Imzot Mark Sopi kishte shkuar në Gjakovë për ta kuptuar më nga afër atë që kishte ndodhur. Ai nuk deshi të mbetej vetëm te lajmet, te fjalët e shpërndara apo te zërat e largët. Deshi të dëgjonte nga afër, të takohej me njerëz, të merrte dëshmi dhe ta ndiente dhimbjen aty ku ajo ende ishte e nxehtë, e freskët dhe e padurueshme.
Për ato dëshmi, ai synonte të njoftonte edhe qendrat ndërkombëtare vendimmarrëse e diplomatike: Selinë e Shenjtë në Vatikan, Organizatën e Kombeve të Bashkuara, shtetet e Quint-it, NATO-n, si dhe ambasadat e zyrat diplomatike euroatlantike në Prishtinë e Beograd.
Imzot Marku, në Gjakovë kishte dëgjuar rrëfime të rënda nga njerëzit që kishte takuar. Kishte marrë informata edhe nga Kuvendi Françeskan në Gjakovë, ku zërat e frikës, dhimbjes dhe tmerrit kishin mbërritur të ngarkuar me lot e ankth. Ato tregime ishin rrëqethëse. Ishin dëshmi që nuk mund të dëgjoheshin pa u dridhur shpirti. Ishin histori nënash, bijsh, familjesh dhe njerëzish të pafajshëm, të cilët ishin përballur me brutalitetin e një shteti kriminal.
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Mark Sopi, ishte i tmerruar nga ato që dëgjonte. Por tmerri i tij nuk u kthye në ligësi, as në thirrje për ndarje. Ai nuk e lejoi dhimbjen të shndërrohej në përçarje. Përkundrazi, në atë kohë të rëndë, ai e ruajti qartësinë e shpirtit dhe urtinë e bariut të vërtetë. Ai e dinte se, në rrethana të tilla, fjala e tij duhej të ishte fjalë bashkimi, jo ndarjeje; fjalë dinjiteti, jo privilegji; fjalë e përbashkët, jo e veçuar.
Prandaj, për Masakrën e Mejës së Gjakovës, ai gjithmonë kishte thënë me bindje të thellë: “Besimtarët katolikë nuk mund të jenë të privilegjuar. Lufta e ka goditur barabar krejt popullin shqiptar. Jemi një popull dhe do të qëndrojmë së bashku, mos e dhashtë Zoti, edhe nëse ndodh të shkojmë, deri në shfarosje. Por, gjithsesi, do të qëndrojmë.”
Kjo fjali e Imzot Mark Sopit mbetet për mua një testament shpirtëror dhe kombëtar. Aty në atë rast nuk fliste vetëm një ipeshkëv; aty fliste një njeri i urtë i historisë sonë, një bari që nuk e shihte popullin të ndarë në besime, por të bashkuar në fat. Ai e kuptonte se, në Kosovë, në ato ditë të zeza, dhimbja nuk kishte fe. Lotët nuk kishin fe. Varret nuk kishin fe. Gjaku i derdhur ishte gjak shqiptar.
Në qëndrimin e tij shoh një durim të fortë, burrëror dhe shpirtëror, që më kujton durimin e klerikëve dhe burrave të mëdhenj të historisë shqiptare. Ai nuk fliste me zhurmë, por me peshë. Nuk kërkonte privilegje për katolikët, sepse e dinte se privilegji në kohë lufte mund të bëhej plagë për unitetin kombëtar. Ai kërkonte që populli të qëndronte bashkë, sepse vetëm bashkë mund të mbijetonte.
Meja, në këtë kuptim, për mua nuk është vetëm kujtim i masakrës. Është edhe dëshmi e së vërtetës sonë kombëtare: se Serbia vrau shqiptarë pa dallim feje, ndërsa shqiptarët duhej ta mbronin njëri-tjetrin pa dallim feje. Ajo që armiku deshi ta ndante, dhimbja e bashkoi edhe më fort. Ajo që propaganda deshi ta përçante, gjaku i të pafajshmëve e vulosi si një amanet të përbashkët.
Sot, bë këtë përvjetor kur e kujtoj Mejën martire, e kujtoj si një dhimbje të madhe shqiptare. E kujtoj si një vend ku u vra jeta, por nuk u vra e vërteta. E kujtoj si një plagë që flet ende. Dhe në këtë kujtesë më del para edhe figura e pinjollit të martirëve të Karadakut, Imzot Mark Sopit, Ipeshkvit të amshuar të Kosovës, i cili, në kohë të trazuara, dinte të qëndronte me popullin, jo mbi popullin; pranë të vuajturve, jo larg tyre; në shërbim të bashkimit, jo të ndarjes.
Prandaj, për mua, Meja është thirrje për kujtesë, për drejtësi dhe për unitet. Ajo më mëson se krimi nuk duhet harruar; se viktimat nuk duhet numëruar vetëm si shifra, por duhet kujtuar si njerëz, si bij e bija të këtij vendi, si pjesë e një populli të plagosur, por të pathyer.
Dhe, mbi të gjitha, Meja më kujton se shqiptarët, në tërë ditët më të errëta të perandorive mesjetare nuk u vranë si të ndarë, por si një trup i vetëm kombëtar. Prandaj edhe unë i kujtoj si një dhimbje të vetme, si një amanet të vetëm, si një kujtesë të përbashkët.
Lavdi të vrarëve të Mejës. Nderim i përjetshëm kujtimit të tyre! Paqe e përjetshme mbi shpirtrat e të vrarëve në Mejë të Gjakovës dhe mbi të gjithë ata që ranë për atdhe, vetëm pse ishin shqiptarë!

Klinë, më 28 prill 2026