Osmani dhe Makovec flasin për masat që BE duhet të marrë ndaj Serbisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Zëvendësdrejtorin menaxhues për Evropë në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), Marko Makovec.

Pas aktit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, Presidentja Osmani vuri theksin tek rëndësia që Serbia të mbahet përgjegjëse përmes masave konkrete nga BE-ja. Ajo nënvizoi se parandalimi i përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të të gjithë rajonit tonë është kyç.

Presidentja theksoi se ky sulm ishte i përgatitur dhe i orkestruar nga Serbia, dhe i ekzekutuar nga grupe terroriste e paramilitare, gjë që e dëshmojnë dëshmitë e shumta të siguruara nga institucionet tona të sigurisë.

Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës që të punojë ngushtë me partnerët e saj për t’i tejkaluar sfidat e krijuara nga ky akt i agresionit, duke përmendur bashkëpunimin e vazhdueshëm të institucioneve tona me ato ndërkombëtare e sidomos ato të sigurisë, përfshirë EULEX-in