Osmani dhe Kurti bëjnë homazhe tek memoriali në Prekaz: Dita e Çlirimit i ka rrënjët këtu

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe tek kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Osmani tha se në Prekaz u vulos liria jonë, me sakrificën dhe trimërinë e legjendarit Adem  Jashari, dhe të gjithë familjes Jashari.

“Nga këtu shprehim nderimin për të gjithë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët vlerën e lirisë e vendosën edhe para jetës së tyre, në mënyrë që ne të gëzojmë këtë ditë”, tha Osmani.

Ndërkohë, Kurti tha se lufta çlirimtare nuk mund të mendohet nga askush pa Jasharët.

“Prekazi heroik është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare. Dita e Çlirimit dhe Paqes i ka rrënjët këtu”, u shpreh Kurti.