Numri i lartë i pacientëve me koronavirus bën që të hapen dyert e klinikave tjera për hospitalizim

Të gjithë pacientët me koronaviurs nga nesër do të trajtohen në intensivën e improvizuar në objektin e Mjekësisë Sportive në QKUK.

Kjo ka ndodhur pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë ka kufizuar testet për koronaviurs përveç rasteve simptomatike.

Prandaj, tri klinika të QKUK-së do të kthehen si asistencë për Klinikën Infektive, në mënyrë që të përballohet një fluks më i lartë për pacientët që kanë nevojë për tretman mjekësor.

Ky vendim ka ardhur pas mbushjes së kapaciteteve në Klinikën Intekvive, Pulmologji dhe Dermatologji. Komiteti poashtu ka kërkuar që të bëhet reduktimi i stafit në mënyrë që të ketë kapacitete për aktivizimin dhe funksionimin e intensives në Mjekësinë sportive.

Lajmin e ka konfirmuar SHSKUK përmes një përgjigje zyrtare.

“Mjekësia Sportive hapet nga dita e martë, 23 Qershor 2020 dhe në të vendosen rastet që kanë nevojë për CPAP dhe të intubuar. Për shkak të mbushjes së kapaciteteve në Klinikën Infektive, Pulmologji dhe Dermatologji”.

Për trajtimin e pacientëve në këtë njësi do të nevojiten anesteziologët, të cilët fatkeqësisht në spitalet publike në Kosovë janë në numër deficitar.

Përmes raportit 24 orësh, Klinika ka bërë me dije se pesë raste janë në gjendje kritike dhe janë duke u trajtuar në repartin e Mjekimit Intensiv, derisa 41 raste janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.