Nis takim rajonal në Shkup për Planin e Rritjes të BE-së

Ka filluar samiti në Shkup, ku po marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit dhe të BE-së.

Komisionarja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, po zhvillon sot në Shkup një takim me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të dedikuar Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për këtë rajon.

Nga Plani i Rritjes, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës – kanë marrë fondet e para të para-financimit.

Kosovën në këtë takim e përfaqëson kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Kos, e cila mbërriti më 30 qershor në Shkup, u prit në aeroport nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dhe mbajti menjëherë një takim me delegacionin maqedonas të kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski.

“Gjatë takimit u diskutua për perspektivën evropiane të rajonit, me fokus në zbatimin e reformave, realizimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet evropiane”, deklaroi Mickoski pas takimit.

Ai theksoi se ka “përsëritur vendosmërinë e Qeverisë për integrimin në BE, përmes një procesi dinjitoz dhe përmes zbatimit të reformave thelbësore në fushat e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe transformimit digjital”.