Nga sot në Shqipëri maska është e detyrueshme jashtë shtëpisë, deri në 5 mijë lekë gjoba

Që nga sot në Shqipëri mbajtja e maskës në ambientet jashtë shtëpisë do të jetë e detyrueshme për gjithsecilin.

Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, derisa ka thënë se kjo masë ka për qëllim zvogëlimin e përhapjes së mundshme të COVID-19.

Po ashtu, Fico ka theksuar se vendosja e maskës është masë plotësuese dhe jo zëvendësuese e masave parandaluese duke shtuar se ajo duhet të zbatohet bashkë me distancën fizike.

Ndërkohë, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri edhe një herë ka bërë të ditur mënyrën korrekte e përdorimit të maskës.

“Duke filluar nga dita e nesër, datë 15 tetor, mbajtja e barrierave mbrojtëse, maskave, do të jetë e detyrueshme për t’u mbajtur kudo në ambientet jashtë shtëpisë me qëllim zvogëlimin e përhapjes së mundshme COVID-19…Përdorimi i maskave duhet të konsiderohet vetëm si një masë plotësuese dhe jo si zëvendësim i masave parandaluese dhe ajo duhet të zbatohet së bashku me distancën fizike 1.5 deri në 2 metra dhe pastrimi i duarve. Përdorimi korrekt i maskës kërkon që maska e fytyrës duhet të mbulojë plotësisht, hundën, gojën dhe mjekrën. Është e rëndësishme të pastrohen duart me sapun dhe ujë ose edhe me dezinfektues duarsh me bazë alkooli para se të vendoset apo të hiqet maska”, ka thënë Fico në fjalimin e saj.

Në vendim thuhet se personave që për shkak të moshës, shëndetit ose për arsye të paaftësisë nuk bartin maskë, do t’u kërkohet dokumentacioni shëndetësor i cili verifikon një gjë të tillë.

Ndërsa, për çdonjërin që nuk respekton masat e vendosura do të pasojë gjoba.

Moszbatimi i kësaj mase do të ketë gjoba me 3 mijë lekë për shkelësit për herë të parë dhe 5 mijë lekë për shkelje të përsëritur.