Gjatë mbledhjes së qeverisë të enjten, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se pagat e shërbyesve civilë do të rriten edhe për 55 euro të tjera duke filluar nga muaji korrik.
Ai tha se kjo është rritja e dytë për këtë kategori, pasi një rritje e parë me po të njëjtën shumë (55 euro) ka hyrë në fuqi që nga janari i këtij viti.
“Lajmi i tretë i mirë: pagat e shërbyesve publikë do të rriten dy herë nga 55 euro. Rritja e parë ka hyrë në fuqi nga janari i këtij viti, ndërsa rritja e dytë do të fillojë nga korriku. Sot do të marrim vendimin për mbulimin e kostos së kësaj rritjeje”.
“Pagat mujore për mbi 80 mijë zyrtarë do të jenë gjithsej 110 euro më të larta krahasuar me dhjetorin e vitit 2024”.
Qeveria në detyrë ka miratuar Propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e nenit 33, paragrafi 2. të Ligjit Nr. 08/L-332 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Ministri i Financave Hekuran Murati, tha se me këtë vendim po alokohet buxheti për të mbuluar fazën e dytë të rritjes së pagave për shërbyesit publikë.
“Në ligjinë për ndarjet buxhetore është paraprë edhe rritja e pagave në sektorrin publik edhe atë në dy faza. Faza e parë ka fillur të aplikohet, sot po marrim vendim që të ndaj mjete buxhetore për të gjitha organizta buxhetore në mënyrë që të mbulohet kostoja e rritjesë për gjysmë e koficinteit tjëtër për fazën e dytë, që në total është mbi 31,2 milion euro për të mbuluar koston e rritjesë edhe për 55 euro tjera që do të kontriboj rritjen prej 110 euro për të gjithë sherbyesit publik që marrin pagë nga buxheti”, tha Murati.