Nga 1 maji Spitali i Pejës ndryshon sistemin e punës në Emergjencë

Duke filluar nga 1 maji 2026, Spitali i Përgjithshëm në Pejë do të zbatojë një sistem të ri organizimi në repartin e Emergjencës, duke kaluar për herë të parë në triazhimin e pacientëve, një praktikë standarde në shumë sisteme shëndetësore moderne.

Ky ndryshim nënkupton se pacientët do të trajtohen në bazë të shkallës së urgjencës së gjendjes së tyre shëndetësore, me përparësi për rastet që rrezikojnë jetën ose kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.

Sipas njoftimit zyrtar, Emergjenca do të trajtojë vetëm raste të tilla si: dhimbje të forta në gjoks, vështirësi në frymëmarrje, humbje të vetëdijes, gjakderdhje të mëdha, si dhe aksidente apo trauma serioze.

Ndërkohë, pacientët me probleme jo emergjente do të drejtohen për trajtim në kujdesin parësor, përkatësisht te mjeku familjar, apo në ambulancat specialistike.

Spitali i Pejës ka theksuar se me hyrjen në fuqi të këtij sistemi, Emergjenca nuk do të mund të përdoret më si pikë hyrëse për repartet tjera të spitalit. Po ashtu, hyrja në këtë repart do të jetë e kufizuar vetëm për pacientët, ndërsa do të lejohet vetëm një përcjellës dhe vetëm në rastet kur konsiderohet i domosdoshëm.

Sipas drejtuesve të institucionit, ky organizim i ri synon të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e shërbimeve, duke mundësuar trajtim më të shpejtë për rastet urgjente dhe një shërbim më efikas dhe më të sigurt për të gjithë pacientët