110-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë bën bashkë kuvendarët nga dy shtetet shqiptare

Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë do të mbajnë një mbledhje të përbashkët në Tiranë.

Mbledhja e përbashkët e kuvendarëve nga Kosova e Shqipëria do të mbahet të dielën më 27 nëntor në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

“Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë, të dielën, më 27 nëntor 2022, në orën 10:00, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë në Tiranë, do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë” – thuhet në njoftim.

Para kuvendarëve nga të dy vendet, do të flas kryetrari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Fjalën në këtë mbledhje do ta kenë edhe dy drejtuesit e dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë, Albin Kurti dhe Edi Rama.

Nga një fjalë përshëndetëse do të mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Në shënim të këtij përvjetori, do të mbahen edhe aktivitete të tjera kulturore.