Nesër takimi i radhës për vizat: Çka na tha Franca, që po e “kushtëzon” liberalizimin për Kosovën?

Më 13 tetor u mbajt takimi i fundit në Bruksel për liberalizimin e vizave të Kosovës. Entuziazmi që vërehej ato ditë për një vendim pozitiv, u “shua” me atë që paraqitej si kusht i ri. Nesër, për këtë çështje do të ketë një diskutim tjetër mes Grupit Punues për Vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian. Franca, që u raportua se e ka kushtëzuar procesin me sistemin ETIAS, thotë se përkrah Kosovën në këtë çështje.

Nesër, e mërkurë, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të BE-së do të mblidhet nga ora 10:00 për të diskutuar heqjen e vizave.

Shteti francez gjatë diskutimeve të kaluara në lidhje me këtë çështje, vazhdimisht ka pasur një qëndrim më skeptik, derisa herën e fundit, u raportua se e ka kushtëzuar procesin me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Çfarë qëndrimi ka Franca tash?
Propozimi i Francës për këtë që u cilësua si kusht i ri për heqjen e vizave, raportohej se u përkrah edhe nga katër shtete të tjera të BE-së, Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja.

Nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës, i thanë Nacionales se mbështetin “objektivin e liberalizimit të vizave”, derisa përmenden deklaratën e “Trekëndëshit të Weimarit”.

“Franca mbështet objektivin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ministrat e Çështjeve Evropiane të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë (Trekëndëshi i Weimarit) kërkuan përparim në këtë çështje në shtator. Ky qëndrim përbën një njohje të përpjekjeve të Republikës së Kosovës”, kanë thënë nga ky institucion.

Tutje, MPJ franceze i tha Nacionales se janë të angazhuar për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar këtu hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Angazhimi i Francës për Ballkanin Perëndimor bazohet në pikëpamjen, e riafirmuar gjatë samitit të dedikuar javën e kaluar në Berlin, se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin familjes evropiane. Kjo u ilustrua nga përpjekjet e suksesshme të Francës nën Presidencën e saj të Këshillit të BE-së drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Megjithatë, pyetur nga Nacionale për takimin e kësaj jave, nga shteti francez na thanë se “diskutimet në Bruksel po vazhdojnë”.

“Së fundmi, ne rikonfirmuam në nivelin më të lartë politik mbështetjen tonë aktive për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Diskutimet po vazhdojnë në Bruksel”, është bërë e ditur në fund të përgjigjes.

Çfarë thanë liderët e shtetit për “kriterin shtesë”?
Kryenegociatori i dialogut me Serbinë, Besnik Bislimi, gjatë javës së kaluar në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, foli në lidhje me takimin që do të mbahet nesër, duke përmendur këtu edhe kërkesën e Francës dhe shteteve të tjera për sistemin e ETIAS.

“Takimi i radhës i grupit të vizave është paraparë me datën 9 dhe 10 nëntor. Tema e Kosovës do të jetë në agjendë në ditën e premte, më 10 nëntor. Ka vende të cilat, rreth Francës, kanë nxjerrë kërkesën që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën të fillojë paralelisht me implementimin e sistemit ETIAS. Pra, kanë pasur kërkesa që kjo të lidhet edhe me harmonizimin e sistemit të vizave të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, muajin e kaluar u deklarua për këtë çështje, pas një takimi që pati me ambasadorët e Francës, Suedisë, Holandës, Belgjikës dhe Austrisë.

Në një komunikatë të presidences, thuhej se Osmani ka ofruar argumente që Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat dhe se sitemi ETIAS, nuk duhet të ndikojë në caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për këtë çështje.

Veç kësaj, në këtë komunikatë, theksohej se “një situatë e kundërt do t’i vendoste qytetarët e Kosovës në pozitë diskriminuese”.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani shprehu besimin që kërkesat teknike të ngritura nga disa prej shteteve anëtare të BE-së lidhur me ETIAS, sistemin evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke prezantuar argumentet se një situatë e kundërt do t`i vendoste qytetarët e Kosovës më pozitë diskriminuese”, tha ajo.

Çka është ETIAS-i?
ETIAS, sipas uebfaqes zyrtare të saj, është një sistem i informacionit dhe autorizimit të udhëtimit në Bashkimin Evropian.

Ky program është themeluar nga BE për të “mbrojtur dhe përforcuar kufijtë e saj”, me synim për të identifikuar kërcënimet e mundshme që lidhen me vizitorët nga vendet që janë pjesë e hapësirës Schengen.

“Autorizimi i udhëtimit ETIAS do të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Shchengenit nga ajri, toka ose deti. Nga nëntori 2023, vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë do të mund të regjistrohen në ETIAS. ETIAS do të bëhet një kërkesë e obligueshme për hyrje.”, shkruhet në uebfaqen e ETIAS.

Tutje, në uebfaqe sqarohet se nëpërmjet këtij sistemi do të autorizohen për vizitë të gjithë personat që vijnë nga vendet e Schengenit e që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

“Vendet që përbëjnë këtë rajon specifik, pranojnë heqjen e kufijve të brendshëm me vendet e tjera anëtare. Aktualisht ka më shumë se 50 vende që do të duhet të aplikojnë për heqjen e vizave ETIAS kur vizitojnë zonën Schengen. ETIAS mund të jetë i disponueshëm në më shumë vende në të ardhmen.”, thuhet në faqen zyrtare të ETIAS-it.