Në Viti përurohet busti i William Walker

Në Komunën e Vitisë është bërë përurimi i bustit të ish-ambasadorit të OSBE-së dhe diplomatit amerikan, William Walker.

Përveç kësaj, atij i është dhënë edhe çelësi i qytetit.

“Ambasadori William Walker është një figurë e shquar që ka lënë një ndikim thelbësor në zhvillimet dhe transformimet në Kosovë gjatë periudhës së tij të shërbimit. Me një karrierë të pasur diplomatike dhe një përkushtim të veçantë ndaj çështjeve të Ballkanit dhe të drejtave të njeriut, Ambasadori Walker ka qenë një udhëheqës i shquar dhe një ndihmës i palodhur në rrugën drejt paqes dhe stabilitetit në këtë rajon të ndërlikuar”, u shpreh kryetari i komunës Sokol Haliti.

Ndërsa ish-ambasadori Wiliam Walker, fillimisht tha se ai ndihet i nderuar për respektin që iu bëhet në Kosovë, duke potencuar se ai viziton Kosovën çdo vit, në veçanti Reçakun dhe kompleksin e familjes Jashari.

Ai shtoi se Kosova ka arritur një progres të madh të zhvillimit në një kohë të shkurtër. Ai tha se vjen në Kosovë pasi që është i dashuruar në këtë vend, duke falënderuar të gjithë ata që e respektojnë atë.