Në mars, Komisioni i Venecias pritet të japë rekomandimet për procesin e Vetting-ut

Komisioni i Venecias pritet që gjatë muajit mars 2022 të japë opinionin në lidhje me procesin e Vetting-ut në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në konferencën e fundit për këtë vit, ku edhe ka përmendur disa nga punët dhe të arriturat e ministrisë që ajo drejton gjatë vitit 2021.

“Jemi duke pritur opinionin e Komisionit të Venecias për vettingun në sistemin e drejtësisë, dhe sipas informacioneve që kemi marrë në muajin mars 2022 do të na japin opinionin e tyre për këtë çështje, kur ta marrim atë opinion, do t’i shohim rekomandimet dhe do të vazhdojmë tutje duke i aplikuar ato”, tha Haxhiu.

Javën e kaluar, ministrja Haxhiu në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, tha se Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë me punën në grupin punues për plotësim ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe në dy ligjet të tjera.

“Pas takimit që kemi pasur me grupin punues jemi dakorduar që secili të bëjë propozimet mbi kërkesat që dalin nga Opinioni i Komisionit të Venecias, kërkesa të cilat do të adresohen drejtpërdrejt në tekstin e ligjit. Është me rëndësi të thuhet se të gjithë përfshirë edhe sistemin prokurorial janë pajtuar me rekomandimet dhe udhëzimet që i jep Opinioni i Komisionit të Venecias. Konsideroj që shumë shpejtë pakoja me ligje do të finalizohet dhe më pas të miratohet në Qeveri e të shkoj për miratim në Kuvend”, ishte shprehur Haxhiu për Reporteri.net.

Ndërkaq sot, sa i përket raporteve me Këshillin Prokurorial të Kosovës, Haxhiu theksoi se raportet mes tyre nuk janë ashtu siç duken.

“Raportet tona me Këshilin Prokurorial nuk janë ashtu si duken. Me tepër besoj që për këtë arsye janë reformat në drejtësi që kanë nisur nga Ministria e Drejtësisë. Mendoj që këto reforma nuk duhet t’i pengoj atyre. Mos-prania e tyre sidomos në çështjen e Vettingut, ata konsiderojnë që nuk duhet të ketë vetting, por për këtë kanë vendosur qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.

Haxhiu, po ashtu në intervistën për Reporteri.net, kishte theksuar Ministria e Drejtësisë në verën e këtij vitit që po e lëmë pas ka miratuar Strategjinë për Sundimin e Ligjit në Kosovë, e cila strategji ka dal nga Rishikimi Funksional i Sistemit të Drejtësisë.

Sipas saj, në kuadër të Rishikimit Funksional është paraparë që të bëhet ndryshimi në ligjet që lidhen me sistemin prokurorial në vend. Ministria e Drejtësisë ka mbledhur grupin punues, në të cilin janë përfshirë të gjithë akterët relevant përfshirë Këshillin Prokurorial, Kryeprokurorin e Shtetit, Prokurorinë Speciale, shoqërinë civile, ambasadat e huaja dhe organizatat ndërkombëtare. Pas propozimeve të para, ligjin bashkë me ndryshimet e kemi adresuar tek Komisioni i Venecias dhe nga ky komision kemi marrë një përgjigje pozitive që konfirmon vazhdimin e punës në reforma të sistemit porkurorial.

Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot në konferencën për media, po ashtu ka thënë se është përmbushur rreth 80 për qind e agjendës legjislative të Qeverisë gjatë këtij viti.