Në Maqedoninë e Veriut regjistrohen edhe dy raste të reja me koronavirus

Dy raste të reja të prekura me koronavirus janë shënuar në Maqedoninë e Veriut.

Këtë e ka konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së sotme. Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për një çift bashkëshortor nga Dibra që janë kthyer nga Italia disa ditë më parë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipqe, ka paralajmëruar një konferencë të jashtëzakonshme për mediat në orën 19:30 ku do të jepen detaje mbi paraqitjen e rasteve të reja me koronavirus, raportojnë mediat në Maqedoni.

Paraprakisht, qeveria ka pranuar rekomandimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të ndaluar të gjitha tubimet dhe ngjarjet e mëdha publike, si dhe zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë deri më 13 mars.