Ndeshje të rëndësishme “për Evropë” dhe për mbijetesë

Forma e mirë që Dukagjini ka treguar në xhirot e fundit ka bërë që skuadra nga Klina ta synojë daljen në garat evropiane. Dhe pikët nga secila ndeshje vlerësohen me shumë rëndësi për Dukagjinin.

Me synimin për tri pikë të reja, Dukagjini udhëton të mërkurën në Gjilan. Ndeshja Gjilani – Dukagjini luhet në fushën me bari sintetik dhe i takon xhiros së 32-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja fillon në orën 15:00.

Gjilani, po ashtu, synon daljen në kupën evropiane dhe aktualisht e mban pozitën që ia siguron këtë.

Gjilani është i treti me 47 pikë. Dukagjini renditet i pesti me 41 pikë. Gjilani, po ashtu, luan në finale të Kupës së Kosovës.

Te Dukagjini insistojnë se nuk do të dorëzohen dhe se në pesë xhirot e fundit do të japin gjithçka për ta jetësuar “ëndrrën evropiane”. Skuadra klinase nuk di për humbje në pesë ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar dy fitore dhe tri barazime.

“Ne do të udhëtojmë për rezultat pozitiv në duel kundër Gjilanit. E kemi parasysh se do të jetë shumë vështirë, por dihet që ne po luftojmë për dalje në Evropë dhe çdo pikë ka rëndësi për ta arritur këtë synim të madh. Ne nuk jemi dorëzuar dhe do të luftojmë deri në fund për të përfunduar sa më lart në tabelë. Atmosfera në ekip është e mirë, jemi maksimalisht të motivuar, sidomos pas rezultateve të mira që i kemi marrë kundër ekipeve që po luftojnë për titullin e kampionit. Po ashtu, me pak fat do të mund të kishim marrë edhe më shumë pikë. Andaj do të japim gjithçka kundër Gjilanit që të kthehemi në Klinë me rezultat të favorshëm”, ka thënë kapiteni i Dukagjinit, Altin Merlaku.

Edhe Gjilani ka pasur ecuri të mirë në duelet e fundit. Pas fitoreve në udhëtim te Malisheva (2:0) dhe në shtëpi ndaj Drenicës (1:0), Gjilani ka luajtur pa gola në xhiron e kaluar në Mitrovicë ndaj Trepçës ’89. Këto rezultate janë motiv shtesë për ekipin e trajnerit Zekirija Ramadani që ta kërkojë fitoren kundër Dukagjinit të papërshtatshëm. Me fitore Gjilani do të forcohej në pozitën e tretë në Evropë. Fitorja është synimi i vetëm i Gjilanit, ka theksuar sulmuesi i krahut, Baton Zabërgja të martën për KOHËN.

“Ndeshje e vështirë pasi që përballemi me një rival të drejtpërdrejtë për daljen në Evropë. Megjithatë, jemi përgatitur maksimalisht për këtë sfidë dhe nuk synojmë asgjë tjetër përpos të dalim me pikë të plota. Evropa është objektivi ynë dhe do të luftojmë deri në fund për ta arritur këtë. Kemi mungesa, por shpresoj që edhe ata që do të luajnë do të japin gjithçka nga vetja për ta fituar takimin”, tha Zabërgja.

Të mërkurën zhvillohen edhe dy ndeshje të rëndësishme për garën për mbetje në elitën e futbollit kosovar.

Ferizaj pas tri humbjeve rresht dhe rënies në pozitën e parafundit në tabelë, do të tentojë të kthehet te fitorja në ndeshjen kundër Drenicës. Drenica pothuajse është përshëndetur nga elita. Ka 11 humbje e një fitore të vetme në pranverë. Renditet e fundit në tabelë me 23 pikë. Ferizaj zë vendin e parafundit me 31 pikë.

Dy skuadrat e fundit bien direkt në Ligën e Parë, ndërsa ekipi që përfundon i teti luan në plejaut. Aktualisht pozitën që siguron plejautin e mban Trepça ’89 me 34 pikë të mbledhura. Ekipi mitrovicas do të luajë në udhëtim te Malisheva, që ka 37 pikë dhe renditet e shtata. Malisheva në këtë duel futet pas dy fitoreve rresht, ndërsa ‘89-shi ka dy barazime dhe tri humbje në pesë duelet e fundit.

Ndeshjet e skuadrave që luftojnë për titull, Dritës e Ballkanit, janë të enjten.

Drita e Gjilanit luan në udhëtim ndaj Llapit, ndërsa Ballkani i Suharekës e pret Prishtinën.

Superliga – 32

E mërkurë (15:00)

Gjilani – Dukagjini

Ferizaj – Drenica

Malisheva – Trepça ‘89

E enjte (15:00)

Ballkani – Prishtina

Llapi – Drita

1. Drita 31 18 9 4 56:26 63

2. Ballkani 31 17 11 3 56:30 62

3. Gjilani 31 12 11 8 29:31 47

4. Prishtina 31 11 9 11 39:31 42

5. Dukagjini 31 11 8 12 32:31 41

6. Llapi 31 11 8 12 40:42 41

7. Malisheva 31 9 9 13 46:48 36

8. Trepça ’89 31 8 10 13 40:55 34

9. Ferizaj 31 7 10 14 26:46 31

10. Drenica 31 6 5 20 23:46 23