Ndahet nga jeta infermierja Sabrije Elezaj, QKMF “Nëna Tereza” në Klinë jep detaje për ceremonitë

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Nëna Tereza” në Klinë ka njoftuar me pikëllim të thellë për ndarjen nga jeta të infermieres shumëvjeçare, Sabrije Elezaj.

Sipas njoftimit zyrtar, Elezaj ka ndërruar jetë më 21 mars 2026, duke lënë pas një kontribut të çmuar në shërbimin shëndetësor në këtë institucion dhe në komunitetin e Klinës.

“Gjatë gjithë karrierës së saj në QKMF, ajo u dallua për sjelljen e shkëlqyer me pacientët dhe kolegët, si dhe për përkushtimin dhe devotshmërinë në shërbim të qytetarëve. Sipas kolegëve, ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e të gjithëve që patën rastin ta njohin dhe të punojnë me të”, thuhet në njoftimin e QKMF-së në Klinë.

Në emër të stafit të institucionit, drejtori Prof. Ass. Dr. Gazmend Bojaj ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerës dhe për qytetarët e Klinës për këtë humbje të madhe.

Ndërkohë, është bërë e ditur se mbledhja komemorative do të mbahet të hënën, më 23 mars 2026, në orën 10:00, në sallën e QKMF-së.

Varrimi i së ndjerës do të bëhet më 22 mars 2026, në ora 15:00, në varrezat e fshatit Gjurgjevik i Vogël.

“I lehtë qoftë dheu i Kosovës për kolegen tonë të dashur”, thuhet në fund të njoftimit.