NDAHEN MIRËNJOHJE PËR GRATË E PARA NISMËTARE TË KLINËS

Komuna e Klinës, respektivisht, Zyra për Barazi Gjinore, me rastin e shënimit të 8 Marsit- Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ka përfunduar sot aktivitetet tre ditore me ndarjen e mirënjohjeve për gratë e para nismëtare të Klinës, në sallën e Kuvendit Komunal Klinë.

Në këtë ceremoni morën pjesë nënkryetarja e Komunës së Klinës, znj. Marqe Tanushi-Selmanaj, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Fatjona Gashi, zyrtarja për Barazi Gjinore, znj. Vitore Shala, mësimdhënëse, përfaqësuese nga asambleja komunale, përfaqësuese nga KFOR-i Italian, gra të shumta të cilat lanë gjurmë në profesione të ndryshme në Komunën e Klinës dhe media.

Me një fjalë rasti, nënkryetarja Selmanaj ju drejtua të pranishmeve:

“Të jesh grua dhe të qëndrosh përballë sfidave të kohës është guxim, por edhe obligim. Si shoqëri jemi pothuajse 50/50, pse përfaqësimi ynë në jetën publike, në punësim, vendimmarrje politike duhet të jetë i limituar, gruaja duhet të motivojë njëra-tjetrën, të përkrahet dhe kryesorja mos të pengohet nga vetë gratë. Sot në mënyrë simbolike u munduam t’i kujtojmë të gjitha vajzat e komunës sonë që filluan dhe fituan betejën më të vështirë e të rëndësishme, luftën për avancimin e saj në shumë fusha. Ka shumë gra meritore që sot nuk janë këtu. Por është një nismë që shpresojmë shumë që të vazhdojë edhe në të ardhmen duke kujtuar guximin dhe sakrificën e tyre që ne ta kemi rrugën më të lehtë. Do të vazhdojmë në të ardhmen të ketë iniciativa edhe në forma tjera që sakrifica, angazhimi i gruas gjatë periudhave të ndryshme mos të harrohet nga shoqëria e sidomos nga vetë gratë.”

Gjithashtu edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Fatojna Gashi theksoi se: “ Sot shënojmë kauzën e thirrjen historike për lirinë e të drejtat e grave. Jemi në mesin e shumë grave klinase që i dhanë shumë shoqërisë, rritën e edukuan breza të artë dhe gra që lanë e do lënë gjurmë në historinë e profesioneve të tyre. I falënderojmë për vullnetin, frymëzimin dhe rrugët që i hapën para nesh dhe për ne, për të na lehtësuar çdo realizim ëndrre.”

Në fund u ndanë mirënjohje në shenjë respekti e nderimi për gratë e para nismëtare të Komunës së Klinës: Mësuesja e parë (post-mortem) – Marije Bekaj-Augustini, anëtarja e parë e Kuvendit-Zarife Gashi, gjyqtarja e parë- Lusha Selmanaj-Camaj, aktorja profesionale-Lule Skeli, Organizata joqeveritare”Elena Gjika”-Nysrete Sylaj(post-mortem), mjekja e parë- Pashke Bekaj, drejtoresha e parë e shkollës- Angjelina Kryeziu, inxhinierja e parë e ndërtimtarisë- Antonia Selmanaj, policja e parë-Violeta Elezaj, biznesmenja e parë e suksesshme-Aferdita Jahaj, trajnere profesionale- Ajna Millaku, zyrtarja e parë komunale- Zelfije Elezi, juristja e parë- Grisha Gojani – Gashi, oranizata të dala nga lufta (SHFD)- Bahtije Haliti, teknikja e parë medicinale- Zize Krasniqi, artistja, instumentiste dhe këngëtare- Bege Gashi, aktivistja politike – Ryve Salihu- Krasniqi, drejtoresha e parë komunale- Have Fejza-Thaqi, gazetare – Shqipe Desku si dhe për këto dy profesoreshat me tekst të veçantë mirënjohje për gratë që lanë gjurmë dhe kontribuuan në arsimimin e shumë gjeneratave në qytetin tonë: Seniha Marku- profesoreshë (në pension), Tusha Mahmutaj- Mehmetaj- profesoreshë ( në pension).

Në aktivitetet e organizuara me datën 6 dhe 7 Mars, që janë mbajtur në garat sportive dhe orën letrare, pjesëmarrësit u ndanë me shpërblime.

SHARE