Abdixhiku me Besim Hotin në Sferkë dhe Zllakuqan: Të bashkohemi për një fitore të madhe!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku së bashku me akademik Kujtim Shala, kandidatin për kryetar të Klinës Besim Hoti dhe bartësin e listës së LDK-së, në Klinë Fadil Gashi e asambleistë, vizituan gjatë ditës së sotme fshatin Sferkë dhe Zllakuqan.

“Në këtë vizitë, tubim elektoral, kryetari Abdixhiku u bëri thirrje të gjithëve që mos të bijnë pre e populizmit, por të angazhohen të gjithë, fshat më fshat, shtëpi më shtëpi, të punojmë për realizimin e qëllimeve tona e të programit tonë. Të jemi të gjithë të bashkuar për një fitore të madhe”, thuhet në postimin e LDK-së, dega në Klinë.

Në këto tubime u shpalosën edhe projektet e parapara me program, si në Sferkë ashtu edhe në Zllakuqan, të cilat sipas LDK-së do të realizohen me ardhjen e Besim Hotit si kryetar i Klinës.

“Të gjitha premtimet e bëra, me vullnetin dhe punën e palodhshme që posedojmë si degë e LDK-së në Klinë do të bëhen realitet.
Këtë qëllim kemi për qytetin tonë, për një Klinë e cila në rend të parë do të ketë qytetarin, për një Klinë të re e me mundësi të reja, për një Klinë për të gjithë”, përfundon postimi.