Murati thotë se për shtesat e policëve shumë shpejt do të ketë vendim

Ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk ka dhënë informata se kur do t’i marrin policët shtesat për rrezikshmëri.

Në konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë, Murati, shtoi se “shumë shpejt do të sigurohen që çdo gjë të vihet në vend të vetë siç e parasheh Ligji i pagave”.

Ai ka shtuar se dëshiron të sigurojë qytetarët “që shteti do të jetë çdoherë pranë atyre që shërbejnë shtetin”.

“Kjo ka të bëjë me Ligjin e pagave në tërësi. Ishte proces më kompleks, bëhet fjalë për mbi 80 mijë zyrtarë publikë. Ka shumë kategori tjera që po trajtohen në vijimësi, qoftë nga Ministria e Brendshme ashtu edhe ajo e Financave. Në një masë të madhe e kemi marrë përsipër zbatimin e këtij Ligji”.

“Jemi në proces të dakordimit e të definimit të gjitha shtesave, e po ashtu të kompetencave e përgjegjësive që parashihen. Shumë shpejt do të kemi përafrim të këtyre kërkesave apo gjërave, që të sigurohemi se çdo gjë vihet në vendin e vetë siç e parasheh Ligji”, tha Murati.