Mori taksinë nga Prishtina për në Malishevë, 33-vjeçari arrestohet pasi iku pa paguar

Shoferët e kompanive të taksive, shpesh herë përballen me persona të cilët tentojnë të ikin pa paguar shërbimet që marrin. Për një rast të tillë që ka ndodhur në Malishevë, Prokuroria ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se bëhet fjalë për kompaninë e taksive ‘Roberti’, shoferi i të cilës kërkoi ndihmën e Policisë, pasi një pasagjer iku pa paguar.

E gjithë shuma që detyrohej ta paguante, nuk ishte 3-4 euro, por rreth 30 euro. Kjo pasi që i dyshuari kishte marrë taksinë nga Prishtina për të shkuar në fshatin Drenoc të Malishevës.

33-vjeçari në momentin që kishte arritur në destinacion, i kishte kërkuar shoferit të taksisë që ta presë aty deri sa të hyjë në shtëpinë e tij dhe t’i marrë paratë që i duheshin për të paguar transportin.

Por i dyshuari nuk u bë i gjallë më, duke e lënë shoferin që të presë rreth 30 minuta dhe në fund të kthehet për Prishtinë pa paratë e pazarit.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë veprimet hetimore të nevojshme dhe kanë kërkuar për të dyshuarin në shtëpinë e vëllait të tij në Drenoc.

33-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Vjedhje e shërbimeve’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor.