Ministri Peci ka një lajm të mirë për fermerët që kanë aplikuar për Programin e Zhvillimit Rural

Ministri Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se të gjithë fermerët që kanë aplikuar për Programin e Zhvillimit Rural, do të jenë përfitues të Grantit.

Të gjithë aplikuesit që janë në listën e pritjes dhe që kanë plotësuar kushtet, do të jenë përfitues pas ri-shpërndarjes së buxhetit për ndarjen e grandeve për vitin 2022.

Njoftimi i plotë:

Të dashur fermerë aplikues të Programit për Zhvillim Rural / Grante 2022;

Pas aprovimit të ri-shpërndarjes së buxhetit për ndarjen e granteve për vitin 2022, më lejoni t’iu njoftoj së të gjithë ju që jeni në listën e pritjes dhe që në të njëjtën kohë i keni plotësuar kushtet e pranueshmërisë por që për shkak të mungesës së buxhetit nuk keni arritur që të shpalleni fitues përmes këtij ri-alokimi:

Të gjithë do të jeni fitues! (Natyrisht kjo varet nga inspektimet në teren dhe verifikimi i gjendjes së aplikimit).

Nga ana tjetër, procesi i shqyrtimit të ankesave gjindet në fazën finale.

Ri-shpërndarja e buxhetit është realizuar në masat dhe nën-masat e mëposhtme:

Masa 1 – Investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore; me një total të përkrahjes prej 10,529,490.10 € për 197 aplikacione.

Nën-masa për pemë dru-frutore – 19 aplikacione në vlerë prej 1,115,697.90 €.

Nën-masa për arra dhe lajthia – 22 aplikacione në vlerë prej 1,266,237.80 €.

Nën-masa e perimeve dhe serrave – 100 aplikacione në vlerë prej 4,808,755.00 €.

Nën-masa e depove për ruajtjen e pemëve dhe perimeve – 15 aplikacione në vlerë prej 968,444.40 €.

Nën-masa e prodhimit të mishit / rritja e viçave – 18 aplikacione në vlerë prej 1,098,776.00 €.

Nën-masa e prodhimit të qumështit dhe lopëve – 8 aplikacione në vlerë prej 497,883.50 €.

Nën-masa për prodhimin e rrushit – 6 aplikacione në vlerë prej 273,248.50 €.

Nën-masa e prodhimit të vezëve – 6 aplikacione në vlerë prej 372,410.20 €.

Nën-masa për prodhimin e mishit / rritje të derrave – 2 aplicione në vlerë prej 102,974.00 €.

Nën-masa për pemë manore – 1 aplikacion në vlerë prej 25,062.80 €.

Për Masën 7 e cila përfshin diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve përkatësisht tek nën-masa për prodhimin e mjaltit; kemi 9 aplikacione në vlerë prej 136,001.30 €.

Totali i përgjithshëm i përkrahjes me këtë rialokim të buxhetit përfshirë të gjitha nën-masat e lartëcekura arrin vlerën prej 10,665,491.40 €.

Theksojmë se procesi i shqyrtimit nuk ka përfunduar dhe eventualisht mund të kemi shtim të ndonjë projekti që do t’i plotësojë kriteret për të qenë përfitues i mundshëm.

Si Ministër, personalisht do t’i vizitoj nga afër përfituesit për ta parë nga afër procesin e implementimit të secilit projekt!