Ministri Bytyqi vendos gurëthemelin e një çerdheje në Klinë

Ministri i Arsimit i Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi është takuar me kryetarin e Komunës së Klinës Zenun Elezaj, ku të dy së bashku kanë bërë vënien e gurëthemelit të një çerdheje publike në Klinë, raporton EkonomiaOnline.

Bytyqi uroi qytetarët e Klinës për këtë objekt, i cili do të ndihmojë në edukimin e hershëm të fëmijëve.

“Sot është kënaqësi qe jemi këtu në Klinë sepse e vumë gurëthemelin e çerdhes e cila është një projekt shumë i rëndësishëm. E përgëzoj këtë vend që do ta ketë një çerdhe si kjo, dhe uroj kryetarin e Komunës për një pritje të jashtëzakonshme. Kjo çerdhe ka rëndësi të veçantë, sepse është në kuadër të angazhimeve tona të përbashkëta. Një kontribut i madh ka qenë edhe nga ana e deputetes Mirjeta Kalludra. Ministria e financon komplet këtë projekt e cila ka një shumë mbi 530 mijë euro, dhe supozoj që është një objekt shumë modern dhe i rëndësishëm për edukimin e hershëm të fëmijëve”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, falënderoi ministrin Bytyqi për shtyrjen përpara të këtij projekti, të cilin e vlerësoi si shumë të qëlluar, pasi që do të edukohen breza të ardhshëm të Kosovës.

“Besoj qe ky është projekti më i rëndësishëm në Klinë , sepse është në pyetje gjeneratat e të ardhmes së Kosovës”, tha ai

Deputete e regjionit të Klinës, Mirjeta Kalludra, e cila ndihmoi në jetësimin e këtij projekti tha se ka qenë kërkesë dhe nevojë e kamotshme e qytetarëve të Klinës.

“Kjo ka qenë kërkesa e qytetarëve të Klinës, sepse çerdhja aktuale nuk i ka plotësuar kushtet dhe kërkesat e fëmijëve. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve”, tha ajo