Mbyllet Qendra e Skijimit në Brezovicë, shkak kushtet atmosferike

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se Qendra e Skijimit në Brezovicë është mbyllur sot për vizitor, për shkak të reshurave atmosferike dhe rrezikut që u kanoset qytetarëve nga ndonjë ortek bore.

PK-ja thekson se patrullat e policisë do të jenë tek udhëkryqi i rrugës që të dërgon për në Qendrën e Skijimit në Brezovicë dhe tek laura ku fillon Parku Nacional “Sharr” dhe do të ndalojnë të gjitha automjetet e vizitorëve.

“Lusim shoferët e automjeteve që të respektojnë udhëzimet e policisë”, thuhet në njoftim.

Qendra e Skijimit bën të ditur se qytetarët do të njoftohen me kohë, pasi të jenë krijuar kushtet për vizitë atje.