Mbi 50 mijë € përfitime dhe vendime të jashtëligjshme, ‘zbulohen’ dallaveret te “Ambienti” në Pejë

Hetimi i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, ka rezultuar me identifikimin e disa zyrtarëve të ndërmarrjes “Ambienti” të dyshuar për keqpërdorime, të cilët kanë qenë objekt hetimi për rreth një vit. Nëntë zyrtarë dhe ish zyrtarë janë shoqëruar në Polici gjatë këtij aksioni, shtatë prej të cilëve janë ndaluar. Gazeta Sinjali raportoi pak më parë ekskluzivisht se kush janë zyrtarët e arrestuar, në mesin e të cilëve kryeshefi ekzekutiv dhe drejtori i bordit.

Kryeshefi Diedon Berisha, drejtori i bordit, Arton Muhaxheri, ish -kryeshefi Nexhat Abdullahu, zyrtari ligjor, Gani Kryeziu, mbikëqyrësi i një projekti Armend Jupa, si dhe anëtarët e bordit Fisnik Ademi, Idriz Balaj dhe Shpëtim Gashi po dyshohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoriteti zyrtar”, “Legalizimi i përmbajtjes se pavërtetë” dhe “Deklarim i rremë”.

Sinjali sjellë ekskluzivisht detaje mbi dyshimet e ngritura nga Prokurori i Shtetit ndaj të dyshuarve

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se Muhaxheri, Gashi, Ademi dhe Balaj, po dyshohen se nga viti 2019 deri në vitin 2022 pa bazë ligjore dhe duke tejkaluar kompetencat kanë favorizuar bordin, si dhe disa zyrtarë nga stafi udhëheqës, duke përfituar kështu kompensime shtesë.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, ata kanë arritur që të realizojnë të ardhura për bordin në vlerë të mbi 31 mijë eurove dhe për stafin udhëheqës mbi 20 mijë euro. Bonuset dyshohet se i kanë përfituar duke keqpërdorur detyrën zyrtare, ashtu që pa asnjë bazë ligjore kanë shpenzuar mjete nga buxheti i ndërmarrjes.

Kurse kryeshefi i ndërmarrjes, Diedon Berisha po dyshohet se ka keqpërdorur detyrën, duke urdhëruar zyrtarin financiar që të paguajë me këste një tender që kap vlerën e rreth 20 mijë eurove, pa përfunduar punimet e projektit.

Kryeshefi Diedon Berisha dhe drejtori i bordit, Arton Muhaxheri
Edhe paraardhësi i Berishës, Nexhat Abdullahu po dyshohet se është i përfshirë në këto dallavere, pasi dyshohet se derisa ka qenë në pozitën e kryeshefit të “Ambientit”, prej vitit 2015 e deri në vitin 2022, kur edhe është pensionuar, dyshohet se ka marrë vendime të kundërligjshme, në mënyrë që anëtarët e bordit si dhe menaxhmenti të përfitojnë nga buxheti i ndërmarrjes për furnizimin e automjeteve private me derivate.

Ish kryeshefi, Nexhat Abdullahu
Siç merr vesh Sinjali, Abdullahu dyshohet se ka urdhëruar që në përmbarim të dërgohen borxhet që sipas ligjit janë të parashkruara, ashtu që emër të tarifës përmbarimore ka marrë vendim që të kryhen pagesa në vlerë të mbi 196 mijë euro, edhe pse nuk ka pasur rezultate në inkasim të borxheve, ndonëse borxhi i klientëve sillej mbi 6 milionë euro.

Zyrtari ligjor Kryeziu, po dyshohet se ka zbaruar vendimin e kundërligjshëm të Abdullahut, duke bërë përzgjedhjen e përmbaruesve pa kritere, si dhe ka dërguar në përmbarim lëndët që kanë pasur borxhet e parashkruara, ku për pasojë ka shkaktuar dëme në ndërmarrje, duke paguar tarifa në vlerë të mbi 16 mijë urosh.

Ndërsa i dyshuari Jupa, në cilësinë e mbikëqyrësit të një projekti ka nënshkruar fituesit të tenderit një faturë që kap vlerën e rreth 20 mijë euro, ndonëse punimet e projektit s’ishin kryer.

Pas hetimeve të kryera që një vit, me urdhëresë të Gjykatës, Policia sot ka zbarkuar në objektin e ndërmarrjes, ku pos arrestimit të të dyshuarve janë sekuestruar edhe prova që ndërlidhen me tenderët, pagesat dhe dëshmitë tjera.

Shtatë të dyshuarit, përveç Kryeziut me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të ushtrohet kërkesa në Gjykatë për caktimin e masës së sigurisë.