Mbi 30 vjet burgim ndaj katër të akuzuarve për terrorizëm

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me mbi 30 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë Ardijan Gjurajn, Ergim Sylën, Nehrudin Skenderin dhe Mentor Bellaqën, të akuzuar për terrorizëm.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Gjuraj për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” u dënua me 5 vite burgim.

I njëjti për veprën penale në bashkëkryerje të armëmbajtjes pa leje, u dënua me 4 vite e 6 muaj burgim.

Ndaj Gjurajt, gjykata shpalli dënim unik me 9 vite burgim.

I akuzuari Ergim Syla për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” u dënua me 4 vite burgim.

Për veprën penale armëmbajtje pa leje në bashkëkryerje, u dënua me 3 vite e 6 muaj burigm.

Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik me 6 vite e 6 muaj burgim.

Kurse, i akuzuari Nehrudin Skenderi për veprën penale “Lehtësimi dhe Financimi në kryerjen e terrorizmit” u dënua me 8 vite e 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Nëse i akuzuari nuk mundet ose nuk dëshiron ta paguajë dënimin me gjobë, i njëjti i zëvendësohet me dënim me burgim.

I akuzuari Mentor Bellaqa për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, u dënua me 4 vite burgim, kurse për armëmbajtje pa leje 3 vite e 6 muaj burgim.

Ndaj Bellaqës, gjykata shpalli dënim unik me 6 vite e 6 muaj burgim.

Për të gjithë të akuzuarit, dënimi me burgim hyn në fuqi 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Po ashtu, të njëjtëve iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe Shkodran Krasniqi, mirëpo i njëjti pas pranimit të fajësisë ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materive plasëse”, raporton Betimi për Drejtësi.