Masat e reja të paralajmëruara nga Hoti, do të ndalohen edhe ritet fetare

Kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar rigorozitet të masave për parandalimin e virusit COVID-19, teksa ka thënë se aktualisht kanë dashur ta shmangin propozimin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Masat e reja do të prezantohen në mbledhjen e sotme elektronike të qeverisë, ndërsa Hoti tha se do të ketë angazhim të Policisë dhe inspektoratit sanitar për të shqiptuar gjoba ndaj kujtdo që nuk i respekton masat e marra më herët. Në mesin e masave të reja, Hoti ka përmendur edhe ndalimin e tubimeve dhe riteve fetare,

“Masat që do të prezantohen sot në mbledhjen elektronike të qeverisë do të jenë më shumë rigorozitet në ato që i kemi marrë më herët, sepse masat më efektive për ta parandalu përhapjen e COVID-it mbesin të thjeshta: maska, distanca, higjena. Me vetëm këto tri masa ne shpëtojmë jetën e qytetarëve. Këtu do ta angazhojmë plotësisht me asistencë të plotë të Policisë dhe inspektoratit sanitar për të shqiptu gjoba në përputhje me ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse”, ka thënë Hoti.

“Nuk do të ketë asnjë lloj tolerance ndaj askujt që nuk i respekton vendimet e qeverisë. Është e papranueshme që ndërkohë që vendimet e qeverisë janë në fuqi, ndërkohë që inspektorati është në terren dhe policia është , organizohen dasma dhe ahengje nëpër qytete të ndryshme dhe nëpër fshatra të ndryshme anë e mbanë Kosovës. Me këto veprime të papërgjegjshme ne rrezikojmë jetën e fëmijëve tanë dhe jetën e prindërve tanë… Masat tjera do të nënkuptojnë që t’i obligojmë të gjitha institucionet, të gjitha bizneset, çdo vend publik që të kenë dezinfektues. Detyrohemi që t’i ndalojmë komplet tubimet publike dhe ritet fetare për një kohë derisa të bëjmë një vlerësim tjetër të situatës dhe në këtë drejtim kërkoj mirëkuptim…”, është shprehur ai. /