Malishevë: Babai e zbulon se djali i tij 20-vjeçar ishte hajni që ia vodhi mbi 10 mijë euro ‘cash’

Vjedhjet e shumta janë shndërruar në një shqetësim shumë të madh për qytetarët në vendin tonë, duke shkaktuar kështu pasiguri por edhe humbje të mëdha. Të dyshuarit shpesh dalin të jenë të afërm e madje edhe anëtarë të familjes. Kështu ka ndodhur në një familje në Malishevë, ku një person ka vjedhur në shtëpinë e vet.

Këtë herë, Sinjali mëson se i dyshuar është një 20-vjeçar, i cili po dyshohet se ia vodhi babait të tij mbi 10 mijë euro para të gatshme, para disa ditësh dhe më pas nuk u bë “i gjallë”.

Babai i tij e zbuloi se hajni që kreu vjedhje është i biri dhe u detyrua ta raportojë rastin.

Kjo situatë e ka lënë pa fjalë viktimën, i cili pavarësisht se e zbuloi se djali tij ishte ai që e vodhi, u detyrua që ta çojë në Polici, me shpresën se një gjë e tillë nuk do të përsëritet më.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta gjejë të riun në një villë, i cili më pas u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale Vjedhje e rëndë”.