LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – DEGA NË KLINË PJESË NGA PROGRAMI I QEVERISJES LOKALE 2021 – 2025

I. ADMINISTRATA DHE PËRFSHIRJA E PËRGJITHSHME NË PËRGATITJEN E POLITIKAVE PUBLIKE

1.1. Administrata Komunale
Administrata e komunës së Klinës është e organizuar në 10 drejtori komunale të cilat përfshijnë fusha të administrimit, shëndetësisë, arsimit, financave dhe zhvillimit ekonomik, urbanizmit dhe mbrojtjes së mjedisit, bujqësisë, shërbimeve publike, inspektimeve, gjeodezisë dhe pronës, si dhe fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

Qëllimi kryesor i këtyre drejtorive dhe personave të cilët veprojnë në të njëjtat, është ofrimi i shërbimeve për të gjithë qytetarët, pa dallim, në kuadër të lehtësimit dhe përmirësimit të jetës së tyre në nivel lokal.

Qëllimet:
LDK-ja në Klinë ka për qëllim që gjatë mandatit të saj qeverisës për vitet 2021-2025 t’i shndërrojë që të gjitha këto drejtori në:
1. Sektorë tejet efektivë dhe me efikasitet të plotë në ofrimin e shërbimeve të duhura për të gjithë qytetarët, subjektet dhe palët e interesit të cilët jetojnë dhe veprojnë në territorin e komunës së Klinës;

2. Sektorë ku mbizotëron koncepti i transparencës dhe llogaridhënies ndaj çdo qytetari, çdo subjekti dhe çdo pale interesi që jetojnë dhe veprojnë në territorin e komunës së Klinës dhe në tërë territorin Republikës së Kosovës;

3. Ngritje të kapaciteteve profesionale të nëpunësve me anë të trajnimeve të rëndomta (gjatë procesit të punës) dhe trajnimeve të avancuara në ofrimin e shërbimeve sa më profesionale për qytetarët dhe palët e interesit;

4. Krijimi i një vegëze për kryerjen e disa shërbimeve të qytetarëve përmes platformës intranet deri te pagesa e tatimeve dhe taksave në formë elektronike;

5. Përmirësimi dhe thjeshtësimi i mëtutjeshëm i ueb-faqes së Komunës, për ta bërë të njëjtën më lehtë të çasshme nga ana e qytetarëve dhe palëve të interesit;

6. Avancimi i prokurimit elektronik.

Mjetet për arritjen e qëllimeve:
LDK-ja synon që qëllimet për një administratë efikase, efektive, transparente dhe llogaridhënëse të arrihen përmes:

1. Monitorimit të vazhdueshëm të punës së drejtorëve të drejtorive komunale nga ana e kryetarit të komunës;

2. Ofrimin e mbështetjes profesionale për të gjithë drejtorët e drejtorive komunale dhe stafin e tyre në kuadër të veprimtarive të secilës drejtori;

3. Bashkëpunimit tejet të afërt me të gjithë qytetarët, OJQ-të, mediat dhe palët e tjera të interesit në hapjen e komunës;

4. Bashkëpunimin tejet të afërt me të gjithë qytetarët, OJQ-të, mediat dhe palët e tjera të interesit në ofrimin e llogaridhënies;

5. Bashkëpunim të ngushtë me Institutin e Kosovës për Administratë Publike në ngritjen e kapaciteteve profesionale të nëpunësve;

6. Ofrim i mbështetjes për zyrën e Teknologjisë Informative në kuadër të përmirësimit të informimit dhe ofrimit të shërbimeve elektronike për qytetarët përmes së njëjtës teknologji;

7. Bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, si dhe me OJQ me sfond të lartë të përgatitjeve në fushën e prokurimit publik, për avancimin e prokurimit elektronik në nivel të komunës së Klinës.

1.2. Komunitetet jo shumicë
Të gjitha komunitetet, të cilat jetojnë në territorin e komunës së Klinës dhe të cilat përbëjnë rreth 5% të popullatës së përgjithshme, janë një pasuri kulturore, gjuhësore dhe fetare, si dhe janë vlerë e përbashkët e të gjithë neve. Komuna do të angazhohet të përfshijë në të gjitha proceset, procedurat dhe aktivitetet e saja të gjitha komunitetet të cilat jetojnë në komunën e Klinës.

Qëllimet:
LDK-ja përmes qeverisjes së saj për vitet 2021-2025, do të angazhohet maksimalisht që të përfshijë të gjitha komunitetet jo shumicë në jetën publike, duke përfshirë garantimin e përfaqësimin e tyre në jetën publike, në hartimin e politikave publike dhe në proceset vendimmarrëse. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet krijimit të kushteve për punësim dhe investimeve infrastrukturore, shëndetësore dhe në arsim në zonat ku jetojnë këto komunitete.

Mjetet për arritjen e qëllimeve:
Qeverisja e LDK-së në Klinë do të mbrojë dhe promovojë të drejtat, gjuhën, kulturën dhe traditat e të gjitha komuniteteve jo shumicë përmes:
1. Zbatimit të dispozitave kushtetuese të Republikës së Kosovës;
2. Përmes zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen dhe Promovimin e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre;
3. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me pjesëtarët e këtyre komuniteteve në të gjitha fushat të cilat ndikojnë në jetën e tyre;
4. Përmes përfshirjes së këtyre komuniteteve në procesin e hartimit të politikave publike dhe pjesëmarrjes në vendimmarrje;
5. Përmes investimeve kapitale në zonat ku jetojnë këto komunitete.

1.3. Barazia gjinore
Administrata Komunale në komunën e Klinës do të bazohet thellë në respektimin e barazisë gjinore dhe kuotës së pjesëmarrjes së gruas në sferat e planifikimit të politikave publike dhe në sferat e vendimmarrjes, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi.
Qëllimet:
LDK-ja do të përfshijë gruan në hartimin dhe zbatimin e politikave publike, duke e përfshirë të njëjtën:
1. Në pozitat e udhëheqëse të drejtorive komunale do të ketë përfaqësim dinjitoz të femrës;
2. Në angazhimin maksimal në përmbushjen e dispozitave ligjore mbi barazinë gjinore në të gjitha sferat e punësimit dhe përfaqësimit të cilat bien në kuadër të kompetencave të komunës së Klinës.

Mjetet për arritjen e qëllimeve:
Në arritjen e barazisë gjinore në komunën e Klinës, LDK, përmes programit të saj zgjedhor do t’i ndërmarrë këta hapa:
1. Zbatimin në përpikëri të dispozitave kushtetuese mbi barazinë e qytetarëve të cilat rrjedhin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës;
2. Zbatimin në përpikëri të Ligjit për Barazi Gjinore, si dhe të ligjeve të tjera të cilat e promovojnë këtë barazi;
3. Bashkëpunimin e ngushtë me gruan, institucionet publike dhe organizatat joqeveritare, të cilat promovojnë barazinë gjinore dhe fuqizimin e pjesëmarrjes së gruas në përgatitjen dhe zbatimin e politikave publike.

SHARE