Ky është i paraburgosuri që vdiq në Dubravë, dyshohej se kishte rrahur nënën e tij

Një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në Dubravë, ku ka humbur jetën një person i cili ishte nën masën e paraburgimit në këtë Qendër Korrektuese.

Sinjali mëson se viktima është Meriton Kokaj, 31-vjeçar, nga qyteti i Gjakovës.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal në Pejë kanë bërë me dije se viktima është dërguar atje pa shenja jete.

Pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar se ai ka ndërruar jetë.

Sinjali ka kontaktuar edhe me Shërbimin Korrektues të Kosovës, mirëpo nuk ka marrë një përgjigje zyrtare deri në publikimin e këtij artikulli.

Ndryshe sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, Kokaj ishte nën hetime për veprën penale ‘Dhunë në familje’, pasi që në datën 12 të muajit prill, kishte përfunduar në stacion policor si i dyshuar për sulm fizik ndaj nënës së tij.

Një ditë pasi kishte ndodhur rasti, Sinjali ka raportuar se nëna e tashmë të ndjerit, kishte kërkuar edhe ndihmë mjekësore si pasojë e veprimeve të dhunshme të tashmë të ndjerit.