Kusari-Lila: Nuk është ndaluar dinari, por mund të përdoret si çdo valutë tjetër e huaj

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë që Banka Qendrore e Kosovës e ka publikuar planin e veprimit për tre muajt e ardhshëm i cili lehtëson procedurat financiare tash që lejohet përdorimi vetëm i valutës euro.

Diskutimi ynë po graviton tek domosdoshmëria e bartjes fizike të parasë. A ka kuptim kjo? Duke qenë synim lehtësimi dhe mbrojtja e të drejtës dhe mirëqenies së qytetarëve të komunitetit serb, Banka Qendrore e Kosovës me 12 shkurt publikoi edhe planin e veprimit për tre muajt e ardhshëm, në të cilin në mesin e të tjerave parashihet lehtësimi për hapjen e llogarive bankare, pezullimi i tarifës për shapjen e degëve të institucioneve bankare, vendosjen e bankomatëve në komunat në veri si dhe shtatë rregulla të tjera lehtësuese”, ka thënë Kusari-Lila në foltoren e Kuvendit.

“Me këtë plan veprimi BQK-ja nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese përveç masave lehtësuese të lartpërmendura me qëllim që qytetarët të kenë qasje sa më të lehtë në financa dhe shërbime financiare”.

Sipas Kusari-Lilës, dinari mund të përdoret sikurse çdo valutë tjetër e huaj në Kosovë.

“Në debatin që është krijuar para dhe pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje është krijuar përshtypja sikurse Kosova ka ndaluar qarkullimin e dinarit serb në Republikën e Kosovë. Kjo nuk është e vërtetë pasi me këtë rregullore dinari mund të posedohet dhe përdoret sikurse çdo valutë tjetër e huaj në Republikën e Kosovës, pra njëjtë siç përdoret dollari amerikan, funta britanike, leku shqiptar, frangu zviceran apo valuta tjera”, ka thënë Kusari-Lila, njofton Klan Kosova.