Kurti: Unë i kërkova BE-së ta hartojnë ata draftin e Statutit në ndërthurje me marrëveshjet e kaluara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për televizionin austriak “ORF-TVthek” të hënën, ka folur sërish për sulmin e paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, duke thënë se ky akt paraqet qartë “gjurmën e gishtit” të Serbisë, derisa ka kërkuar nga Bashkimit Evropian (BE) ta dënojë shtetin serb.

Ai ka thënë se nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) duhet t’i paraprijë normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, derisa ka kërkuar nga BE-ja të shkallëzojë presionin ndaj Beogradit.

Kryeministri ka shtuar se pala serbe nuk dëshiron paqe, por angazhohet drejt eskalimit të situatës, veçanërisht në pjesën veriore të vendit.

Duke komentuar draft-statutin “evropian dhe modern” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kreu i ekzekutivit kosovar ka bërë me dije se vetë ka propozuar që draft-statuti për “mekanizmin vetë-menaxhues” për serbët e Kosovës të hartohet nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare, por gjithmonë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ai ka shtuar se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pranohet nëse është në përputhje me tri kritere: Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (2015), letrën e ish-kryediplomates evropiane Federica Mogherini (2016) dhe qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) të shprehur nga diplomatët Derek Chollet dhe Gabriel Escobar (2022).

Megjithë, kryeministri Kurti ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk mund të krijohet pa e njohur Serbia de facto pavarësinë e vendit, derisa ka kërkuar që BE-ja t’i japë statusin e vendit kandidat Kosovës, duke thënë se duhet të merret parasysh progresi i vendit në disa fusha të caktuara.