Kurti takohet me admiralin e e NATO-s: Anëtarësimi i plotë i Kosovës, përgjigjja më e mirë për paqen e qëndrueshme

Pas Presidentes Vjosa Osmani, Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin amerikan George M. Wikoff, ka takuar edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

Në njoftimin e lëshuar nga ZKM thuhet se Kurti e uroi për marrjen e detyrës së re, duke i ofruar bashkëpunim të plotë.

Kurti në këtë takim ka thënë se anëtarësimi i plotë i vendit në NATO, është përgjigjja më e mirë për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë në rajon.

“Duke folur për situatën e sigurisë, kryeministri nënvizoi synimin dhe angazhimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO, si përgjigjja më e mirë për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë në rajon. Kryeministri shtoi se siguria e Kosovës në radhë të parë është siguri e kufijve të saj”, thuhet në njoftim.

Ai ka thënë se Kosova është rrëfim suksesi i ndërhyrjes së NATO-s, çlirimit dhe pavarësisë.

“Kryeministri gjithashtu e njoftoi admiralin Wikoff me veprimet dhe rezultatet e institucioneve në luftimin e krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit, si dhe me investimet në mbrojtje. Ai e falënderoi admiralin Wikoff për takimin dhe bisedën dhe për kontributin e KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë”, përfundon njoftimi