Kurti: Arritëm qëllimin që propozimi franko-gjerman të bëhet çështje në procesin e dialogut me Serbinë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në bisedimet e zhvilluara të mërkurën në Bruksel, Kosova ka arritur qëllimin e saj që propozimi franko-gjerman të bëhet çështje në procesin e dialogut me Serbinë.

Kurti, në një fjalim në Kuvendin e Kosovës të enjten, ka thënë se propozimi franko-gjerman nuk ishte i përfshirë në dokumentin e prezantuar të hënën gjatë negociatave mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel drejt arritjes së një dakordimi i cili shtetit tonë, që është normal e demokratik, ia bashkëngjit edhe një raport me Serbinë. Ishte e qartë nga vet deklarata e Borrell se një gjë e tillë nuk ishte përfshirë në diskutimet e ditës së hënë. Tash, ajo figuron saktësisht dhe me një status qartë në paragrafin e parë. Kjo nuk ka qenë ditën e hënë në tekstin i cili më është ofruar mua në fund”, tha Kurti.

Megjithatë, Kurti tha se të enjten nuk u arrit “marrëveshje” por “dakordim”.

Rezultatin e bisedimeve të zhvilluara të enjten pasdite, Kurti e cilësoi si “ndryshim të deklaratës së Josep Borrellit”.

“Ata që thonë që ajo që s’është prnauar të hënën, është pranuar të mërkurën, nuk e dinë se për çfarë po flasim. Dhe, nuk është marrëveshje. Është një dakordim por nuk është marrëveshje. Pra, është deklaratë e Borrellit. Ajo çfarë është bërë mbrëmë është se ka ndryshuar deklarata e Borrellit, jo qëndrimi ynë. Dhe, kjo është shumë mirë”, tha Kurti.