Kriza eventuale për grurë – sivjet u mbollën më shumë hektarë, nuk ka vend për panik

Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të përballen me rritjen e çmimit të bukës dhe të miellit. Përfaqësues të Federatës së Bujqve dhe njohës të fushës së bujqësisë po vlerësojnë se në rritjen e çmimit të bukës po ndikon kriza në Ukrainë dhe mungesa e prodhimit vendor.

Ndërkaq, pronari të fabrikës së miellit, “Barileva”, Shyqyri Selmani nuk beson se do të ketë krizë për mungesë të miellit. Ai për Ekonomia Online, thotë se këtë vit Kosova ka mbjellë grurë më shumë se vitet e kaluara.

“Këtë vit Kosova ka mbjell grurë më shumë se vitet e kaluara dhe në këtë bazohem se tash kur e kam ble pluhurin kimik për ara, pronari që e shet tha se këtë vit ka shitur 3 herë më shumë pleh se sa vitet e kaluara. Për fat të mirë ka sipërfaqe më të madhe të mbjellave këtë verë. Plehu shumë shtrenjtë është, por ndoshta njerëzit kanë mundësi me ble”.

“Që 15 vite jam në ngjarje me grurë dhe Kosova asnjëherë nuk i ka plotësuar nevojat për këto vite sa unë i di me grurë për vete. Unë mendoj se miri dhe misri dhe gruri i plotësojnë nevojat, me qenë me përdor edhe misrin për ushqim të njerëzve, edhe grurin ma merr mendja që i plotësojnë. Unë mendoj që nuk do të ketë krizë. Tregtia është e lirë dhe njerëzit bëjnë çmos dhe ku është e ku s’është e bartin dhe e sjellin. Këtë shpresë e mbajë se nuk do të ketë krizë”.

Se nuk do të ketë krizë të miellit e thotë edhe kryetari i Federatës se Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri. Ai shtoi se Kosova arrin t’i përmbush nevojat e tregut me grurë vetëm 30 për qind.

“Kosova këtë vit ka siguruar diku deri rreth 30 eventualisht 35 për qind me miell. Kosova i plotëson të gjitha kushtet sepse ka edhe për eksport për shkak se këta mullinjtë furnizohen edhe prej importit, kryekëput furnizohen prej Serbisë me grurë dhe rezervat besojë që ka mjaft. Grumbullimi i sasisë së miellit për ne si Sindikatë nuk është e pranueshme sepse është e panevojshme. Sidomos këto ditët e fundit kur po shohim që situata në Ukrainë ka filluar të lokalizohet. Ditët e para të luftës në Ukrainë i kemi pa disa lëvizje të vogla të Serbisë. Ajo çka nuk e përkrahu sovranitetin e Ukrainës dhe e përkrahu intervenimin e Rusisë në një formë kemi qenë të shqetësuar edhe në si bujq sepse duhet me përcjell situatën politike dhe të sigurisë në përgjithësi sepse prej këtyre dyjave varen edhe rezultatet e tona në prodhimtarinë bujqësore”.

“Nuk mund të ketë krizë për miell. Ne mund t’a krijojmë një krizë por siç po shihet nëse sasitë e miellit zvogëlohen deri në atë masë pasi që qarkullimi tregtar është në nivel, mullinjtë tanë kanë kapacitete, kanë edhe mundësi që të furnizohen edhe në ndërkohë me grurë. Besojë që në tregun e jashtëm ka mjaft grurë”.

Kosova furnizohet me grur prej Serbisë dhe prej pjesës lindore prej Rusisë dhe Ukrainës, mirëpo pasi ato dy shtete janë shumë më larg dhe transporti kushton shumë më shumë zakonisht kur ka mundësi mullinjtë tanë furnizohen. Mund të furnizohemi prej Greqisë, Turqisë, Bullgarisë dhe shteteve të tjera më larg nga pjesë perëndimore. Jemi dëshmitarë të krizës ekonomike të cilën e shkaktojë kriza e energjisë dhe këto problemet me material bujqësor siç është plehrat, farat dhe nafta e rritën atë koston e prodhimtarisë nëpër furrat tona dhe në këtë mënyrë besojë që nga ajo ka ardhur. Përndryshe mielli e gruri i vitit 2021 kanë qenë me një kosto shumë më të lirë dhe për atë deri më tash nuk ka pas rritje të çmimit”.

Por, profesori universitar i bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se shumë shpejt qytetarët do të përballen me rritje të çmimit të bukës.

Ai për Ekonomia Online ka thënë se arsyeja kryesore e ngritjes së çmimeve do të jetë fara cilësore e në veçanti plehu mineral.

Sipas tij, nëse vërtetë nuk do të ketë shtrenjtim të miellit ose prodhimit final grurit, atëherë prodhimtaria do të jetë e pa qëndrueshme.

“Kjo është normale, pa mëdyshje që çmimi i bukës shpejtë, shumë shpejtë nuk jam në gjendje saktë sa do të del, por do të jetë më i shtrenjtë sepse vetë imputet edhe fara cilësore po në veçanti plehu mineral shkoj shumë shtrenjtë dhe kostoja e prodhimit për hektar në këtë rast që ne i llogarisim për grurin do të jetë dukshëm më e lartë në raport me vitet paraprake. Nëse vërtetë nuk do të ketë shtrenjtim të miellit ose prodhimit final grurit, e me këtë edhe të bukës atëherë prodhimtaria do të jetë e pa qëndrueshme”.

“E vetmja mundësi, sepse gruri për dallim nga shumë kultura të tjera në bujqësi nuk karakterizohet në efekte pozitive financiare, nuk kurorëzohet me ndonjë fitim marramendës mirëpo ky dallon nga produktet tjera sepse është prodhim strategjik. Të gjitha kulturat kanë një rol ekonomik, agroteknik, agronomik, fiziologjik, gruri megjithatë ka edhe karakter strategjik sepse duhet të sigurohet ushqimi për popullatën dhe unë besoj shumë lehtë edhe shumë shpejtë që mund të kemi një dyfishim të çmimit të grurit në raport me gjendjen ekzistuese çfarë është si pasojë e ngritjes së imputeve që janë bë në tregun ndërkombëtar. Jemi të vegjël ne që të caktojmë çmimin e prodhimeve strategjike siç është çmimi i grurit sepse prodhimet e tilla zakonisht i caktojnë superfuqitë ekonomike përkatësisht berza ndërkombëtare”.

Rusinovci thotë se si pasojë e kostos së vogël, importi i grurit bëhet zakonisht nga shtetet e rajonit.

“Po realisht importi i grurit vjen nga vendet që janë më afër për pasojë të kostos përkatësisht si pasojë e transportit më të lirë në raport me vendet e largëta sepse nevojat e popullatës, një superfuqi ekonomike mund t’i begatoj bie fjala nëse importojmë ne nga vendet e largëta të Amerikës Latine etj, etj. Por që transporti del shumë i shtrenjtë dhe normalisht që unë besoj që ngjashëm edhe me vitet e kaluara edhe këtë vit ne do të importojmë kontingjente të caktuara të grurit nga vendet që janë më afër, nga vendet e rajonit”.

“Mirëpo në këtë këndvështrim, inspektorët sanitar përkatësisht pasqyrat shtetërore që korrigjojnë kontingjentet importuese duhet të jenë shumë mobile dhe duhet të jenë shumë sy qel që të paktën mos të lejojnë të hyjë një grurë që nuk plotëson standardin. Flas për peshën hektolitrike që përkon me rimonin e miellit që duhet të jetë në kuadër të standardeve çfarë e parasheh legjislacioni i BE-së, sepse vite më parë ne kem lejuar që të hyj grurë i rezervave 3-4 ose 5 vjeçare nga vendet e rajonit i cili as përafërm nuk i ka plotësuar standardet për këtë industri”, ka thënë Rusinovci.