“Krenari”, Leonora i reagon mediave serbe që e quajtën “skandaloze” këngën për UÇK-në

“Komandant” quhet kënga e re e Leonora Jakupit, të cilën mediat serbe e kanë quajtur ‘skandaloze’.

“Skandal: Këngëtarja shqiptare e vendos kapelën me shenjë të UÇK-së dhe këndon për lavdinë e “terroristëve të UÇK-së”, është titulli i një portali serb, pasi këngëtarja u shfaq me kapelë me emblemën e UÇK-së.

Ajo reagoi sot përmes një postimi në Instagram duke thënë: “Skandal jo, por krenari. Terroristë jo, por çlirimtarë”.

“Këngëtarja shqiptare e ka incizuar këngën “Komandant” për lavdinë e “terroristëve të UÇK-së” dhe përmes vargjeve ka përçuar mesazhin se ata janë të pastër si loti, thuhej më tej në tekstin e një portali serb.

Përveç kësaj kënge, Leonora Jakupi do ta publikojë edhe një tjetër që quhet “Liria ka emër”.