“Krejt kemi me të mbytë”, IPK nis hetimet rreth fjalosjes mes policit dhe qytetarit në Prishtinë

Në një video-incizim të bërë dje në Prishtinë, dëgjohet teksa një zyrtar policor fjaloset me një qytetar, i cili dyshohet se ka goditur me motoçikletën e tij një polic.

“Zani mos të nihet”, dëgjohet polici teksa i bërtet qytetarit.

”Çka të kam bo o vlla”, dëgjohet të thotë i dyshuari, ndërsa zyrtari policor i përgjigjet tutje:

”A e shkele policin majmun?”.

I dyshuari: ”Pse me dol ai në udhe? – m’keni rreh, më keni sha me nanë”.

Më pas polici i thotë “krejt kemi me të mbyt”.

Lidhur me këtë rast Telegrafi ka dërguar pyetje në Inspektoratin e Policisë së Kosovës, të cilët kanë thënë se kanë filluar hetimet.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se pas publikimit të video incizimit në medie, hetuesit e IPK-së sipas detyrës zyrtare kanë filluar një hetim paraprak”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

E policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti derisa ishte duke drejtuar një motoçikletë nuk i ishte ndalur zyrtarëve policor dhe i njëjti me motoçikletë gjatë ikjes është aksidentuar.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.