Krasniqi bokson më 28 mars, premton kthim të fuqishëm si kurrë më parë

Boksieri kosovar, Haxhi (Robin) Krasniqi, do të kthehet në ring më 28 mars. Këtë e ka bërë të ditur të martën vetë Krasniqi për Koha.net. Boksieri nga Juniku nuk ka boksuar nga 11 maji i vitit të kaluar, ndërsa ka lënë pas vetes një periudhë të ngarkuar.

Krasniqi 32-vjeçar tashmë është kthyer në stërvitje, ndërsa ka premtuar se do të kthehet shumë fuqishëm në ring. Ai është i bindur se do të boksojë si asnjëherë më parë. Krasniqi do të boksojë në Magdeburg të Gjermanisë, ndërsa kundërshtari nuk i është caktuar ende. Ka treguar se në opsion janë dy kundërshtarë. Ish-kampioni i Evropës pret që në verë të luftojë për titull të madh, nëse kjo nuk i mundësohet menjëherë më 28 mars.

Në meçin e fundit Krasniqi kishte pësuar humbje nga Stefan Haertel. Së bashku me meçin kishte humbur edhe titullin e Evropës në kategorinë super të mesme.

“Kam pasur një periudhë shumë të ngarkuar. Kam hapur palestrën time të boksit, ndërsa kam vuajtur kohë të gjatë nga lëndimi i bërrylave në të dyja duart. Edhe para meçit të fundit të dy bërrylat i kam pasur shumë keq. Në meç mezi kam mbajtur duart lart nga dhembja në bërryla. Më është dashur të sanoj ato lëndime dhe kjo mori kohë. Njërin bërryl e kam operuar, ndërsa për tjetrin i jam nënshtruar një terapie që ka zgjatur plot gjashtë javë. Vetëm tani po e di se sa keq isha për shkak të atyre lëndimeve”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka luftuar dy herë për titull të botës në boksin profesionist, por ka humbur ato meçe. Ndërkohë ka mbajtur tituj të Evropës në periudha të ndryshme.

“Do të boksojë më 28 mars, ndërsa kundërshtari nuk është caktuar ende. Janë dy opsione, të shohim si do të rrjedhin gjërat. Me rëndësi është që unë jam duke stërvitur mirë dhe po bëhem gati për rikthim të fuqishëm. Nëse jo në mars, atëherë gjatë verës me shumë mundësi do të luftojë për një titull të madh. Opsion është të boksoj në stadiumin e Prishtinës në verë, që e kam ëndërr. Nëse jo këtë verë, verën e vitit të ardhshëm përfundimisht do ta realizoj këtë ëndërr”, ka shtuar Haxhi Krasniqi.

Ai do të luftojë në mbrëmjen, në të cilën meçin kryesor do ta ketë Dominic Boesel, për titull të përkohshëm të botës në kategorinë gjysmë të rëndë në versionin WBA. Një meç me Boeselin për titull të botës është në opsion për Krasniqin, për verë.

“Do të kthehem shumë fuqishëm, do të boksoj si asnjëherë më parë. Gjëra të mira po vijnë përfundimisht. Tani karrierën do ta vazhdoj në kategorinë gjysmë të rëndë, ku kam boksuar edhe në të kaluarën. Për një kohë kam boksuar në kategorinë super të mesme, por kjo ishte shumë stresuese. Deri në ditën e meçit nuk kam mundur të fokusohem në luftë, por është dashur të merrem me ushqimin, me dieta për të mbajtur peshën. Kjo ishte ngarkesë e madhe. Tani do të boksoj në peshën time. Lëndimet i kam sanuar dhe këto janë parakushte për kthim shumë të fuqishëm”, ka thënë Krasniqi. Ai ka bilanc prej 49 fitoresh e gjashtë humbjesh. 17 prej fitoreve i ka arritur me nokaut.
Krasniqi është bindshëm më i suksesshmi prej boksierëve shqiptarë që janë aktivë. Po ashtu, është prej më të suksesshmëve të të gjitha kohërave.

SHARE