Plot të arrestuar e suspenduar në polici, këto janë shifrat

Edhe pse policia është dera e parë e qytetarëve ku lajmërohen rastet e krimit, as ndaj zyrtarëve të forcave të rendit nuk mungojnë akuza për veprimtari të jashtëligjshme.

Qytetarët thuajse çdo ditë ankohen ndaj policisë, ku pos fjalëve ka edhe denoncime për vepra të ndryshme ku prijnë: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, lëndimi i lehtë trupor, kanosja, keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike dhe rrezikimi i trafikut publik.

Ka raste të shumta të denoncimit ndaj policëve, por që jo rrallë herë rastet lëre që nuk shkojnë në vendin e duhur, por ato as nuk trajtohen si duhet. Pra stacionet policore janë shndërruar në strehë ku policët mbrohen e nuk largohen nga puna.

Jo pak policë kryes të veprave të ndryshme vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e tyre.

Derisa secilin vit rreth 20 për qind e punonjësve të Policisë denoncohen nga qytetarët.

Gazeta Sinjali mëson nga Inspektorati Policor, se gjatë 9 muajve të parë vitit 2022 kanë pranuar dhe kanë menaxhuar me 1 mijë e 305 ankesa nga qytetarët.

Sipas IPK-së pas shqyrtimit dhe analizimit të ankesave 464 apo 35.6% e tyre janë proceduar në Departamentin e Hetimeve të IPK-së për hetim penal, 834 ankesa apo 63.9 % e tyre janë dërguar në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme dhe verifikim të kaluarës në Policinë e Kosovës (DHBVK)) për hetim disiplinor si dhe 8 raste janë proceduar në institucionet tjera përgjegjëse.

“Gjatë periudhës kohore nga 1 janari deri me 30 shtator 2022, IPK-ja, përkatësisht Departamenti i Hetimeve, me autorizim të Prokurorit dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe organet tjera ligj zbatuese, ka arrestuar 94 punonjës policor, 6qytetar dhe 2 punonjës të Doganës. Të suspenduar janë 133 punonjës policor, 1 staf civil, ndërsa 4 punonjës policor janë transferuar”, njoftojnë IPK-ja për Gazetën Sinjali.

Sipas Inspektoratit Policor, gjatë hetimeve të rasteve penale nga IPK-ja veprat më të shpeshta gjatë këtij 9 mujori kanë qenë: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, lëndimi i lehtë trupor, kanosja, keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike dhe rrezikimi i trafikut publik.