KQZ-ja shtyen afatet për zgjedhjet në veri  

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës në mënyrë elektronike në të cilën mori vendim për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, njofton KQZ-ja.

Sipas vendimit të KQZ-së, afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve i paraparë të përfundojë më 21 nëntor është shtyrë deri më 25 nëntor 2022.

“Rrjedhimisht, është shtyrë edhe afati për vendimmarrjen e KQZ-së për certifikimin ose jo të subjekteve politike dhe kandidatëve nga 26 nëntori në 28 nëntor 2022, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Po ashtu, KQZ-ja tregon se ka ndryshuar edhe afatin për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet. Sipas vendimit të KQZ-së ky afat do të shtyhet deri më 28 nëntor 2022.

“Sa i përket afatit për aplikim për certifikim të subjekteve politike i ka fillur më 15 nëntor, ju njoftoj se deri tani, më 21 nëntor, KQZ-ja ka pranuar dy aplikime për certifikim”, njofton KQZ-ja.

Më tej në njoftim thuhet se subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës ka aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme si dhe ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Ndërsa KQZ-ja tregon se subjekti tjetër politik Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.

SHARE