Kosovës po i ikë fuqia punëtore

Kushtet jo të mira për punë dhe pagesat e ulëta po e rrezikojnë tregun e punës në Kosovë, i cili po zbrazet nga njerëz të profileve të ndryshme.

I.K (emër i njohur për redaksinë), thotë të ketë qenë i punësuar në një kompani private për një vit, por ka lëshuar vendin e punës dhe nuk dëshiron të punojë më në sektorin privat dhe askund në Kosovë, për shkak, siç thotë ai, kushteve jo të mira të punës dhe pagës së ulët.

“Kam punuar në një biznes tregtar në Ferizaj. Orari i punës ka qenë 8 orë, por ka ndodhur që kam punuar edhe më shumë dhe nuk jam kompensuar për punën jashtë orarit. Paga ka qenë e ulët 250 euro në muaj, e kam lënë punën për shkak të kushteve dhe nuk kam pasur kontratë pune. Ka një vit që nuk punoj askund dhe nuk dua të punoj në një punë të tillë e cila nuk paguhet dhe nuk ofron kushte të mira për punëtorët”, thotë I.K.

Ai thotë se nuk e sheh Kosovën si vend ku do të mund të punësohet dhe të ketë një pagë dinjitoze dhe një punë me kushte më të mira.

“Kam aplikuar për vizë pune në Kroaci dhe jam duke pritur të shkoj atje të punoj për shkak të pagës dhe kushteve më të mira që ofron ai vend”, thotë ai.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare në sektorin privat në Kosovë është 384 euro, ndërsa në sektorin publik paga mesatare është rreth 500 euro.

Mungesën e punëtorëve në Kosovë e kanë theksuar edhe bizneset. Ata tani e sa kohë janë duke u ankuar se nuk po arrijnë të gjejnë punëtorë edhe përkundër shkallës së lartë të papunësisë në vend, që sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave, arrin në 26.9 për qind.

Lajmin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë