Kosovarët meraklinj të bartjes së armëve, zbulohen dy raste në Gjakovë e Malishevë

Posedimi i armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet

Gjatë ditës së djeshme janë raportuar disa raste të tilla, ku dy prej tyre janë zbuluar në komunën e Gjakovës dhe Malishevës.

Sinjali mëson se një 19-vjeçar në fshatin Rogovë të Gjakovës ka ekspozuar një armë të gjatë në rrjete sociale dhe kjo u bë sebep që Policia t’ia bastis shtëpinë. Sipas burimeve, gjatë kontrollit është gjetur arma në fjalë, e cila është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Bastisje pati edhe në një shtëpi në fshatin Drenoc të Malishevës, pasi një person dyshohej se posedon armë ilegale. Gjatë bastisjes në pronat e 50-vjeçarit, është gjetur një armë zjarri bashkë me karikator. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Ndaj të dyshuarve të mësipërm, Prokuroria ka nisur hetimet për secilin veç e veç nën dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“