Kosova U19 fiton edhe ndaj Letonisë

Kombëtarja e Kosovës për vajza U19 ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë në kuadër të turneut kualifikues të Ligës B në Grupin 3 për “Euro 2023” që po mbahet në Belfast të Irlandës së Veriut.

Pas fitores bindëse ndaj Qipros (4:0) të përzgjedhurat e Albina Rrahmanit, sot arritën të mposhtin Letoninë, me rezultat 1:0. Golin e fitores për Dardanet e reja e shënoi Lorita Islami, në minutën e nëntë.

Kosova e kryeson grupin me 6 pikë, derisa Irlanda e Veriut dhe Qipro kanë nga 3 pikë.

Ndeshjen e fundit, Kosova e zhvillon kundër Irlandës së Veriut, më 10 prill. Në rast të fitores ose edhe barazimit, atëherë Dardanet U19 do ta sigurojnë pozitën e parë në grup dhe promovimin në Ligën A për fushatën e ardhshme kualifikuese.

Përzgjedhësja e Kosovës U19, Albina Rrahmani, pas ndeshjes deklaroi: “I kemi marrë ndeshjet një nga një dhe po mundohemi ta përmirësojmë lojën tonë aty ku ka më shumë nevojë, edhe pse kemi pak kohë në dispozicion. Fitorja e dytë na bën të lumtur. Ishte një lojë e luftuar, por lojtaret tona u angazhuan shumë dhe në fund vendosi një gol nga ndërprerja. Tani jemi në një pozitë më të mirë sesa ekipet tjera në grup, por kjo nuk do të thotë që ne do të relaksohemi. Tani së bashku me stafin jemi të fokusuar maksimalisht për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjen e fundit, ngase duam që ta mbyllim këtë turne me tri fitore dhe të promovohemi në një rang më lart për kualifikimet e ardhshme”.